E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furtunë në Kryesinë e PS ikën Seseri, Islami e Majko në dyshim

SHKRUAN: Fejzi Braushi 17-12-2011 11:27

Mbledhja urgjente e Kryesisë pas dështimit të grupit parlamentar në votimin për Bujar Leskajn. Analizohen shkaqet e mungesave të tre deputetëve. Mungesa e Majkos quhet e arsyeshme për shkak të kandidaturës për Zv/sekretar i OKB, Seseri jep dorëheqjen, ndërsa Islami do të shpjegojë arsyet dhe më pas grupi do të vendosë

Seanca e fundit plenare e Kuvendit të Shqipërisë dhe dështimi i strategjisë së opozitës për të bllokuar miratimin e kandidaturës së Bujar Leskajt në krye të KLSH-së, për shkak të mungesave të shumta në sallë, ka shkaktuar një furtunë të vërtetë në selinë rozë. E mbledhur dje me urgjencë, kupola e selisë rozë mes të tjerash ka analizuar me hollësi dhe situatën e përsëritur në gjirin e grupit parlamentar socialist, i cili sërish në seancën e fundit pavarësisht se ishte kërkuar pjesëmarrje maksimale, ka shënuar një dështim total, pasi tre deputetë të tij, Pandeli Majko, Kastriot Islami dhe Rudina Seseri, nuk ishin

të pranishëm para dy ditësh në Kuvend. Kjo ka çuar Kryesinë që të nisë procedurën e përjashtimit të Kastriot Islamit, të pranojë dorëzimin e mandatit nga Rudina Seseri dhe gjithashtu të pranojë si të arsyeshme mungesën e Pandeli Majkos.

Kryesia

Partia Socialiste ka mbledhur dje për herë të parë Kryesinë e saj të re. Faktikisht siç edhe mësohet nga selia rozë, ka qenë një mbledhje e paprogramuar dhe që është bërë e detyruar për shkak të zhvillimeve të ndodhura në seancën e fundit parlamentare, ku tre deputetë socialistë nuk u paraqitën në votimin e Bujar Leskajt. Kështu siç mësohet, ka qenë kryetari Rama ai që ka hapur debatin lidhur me këtë pikë, duke sqaruar së pari se me dëshirën e mirë ai ishte përpjekur që të bënte një lloj amnistie për të gjitha shkeljet e ndodhura në të gjitha vitet e fundit në grupin parlamentar. Ndaj dhe në dy mbledhjet pararendëse të grupit kishte paralajmëruar të gjithë deputetët se çdo shkelje e re do të ndëshkohej. Nisur nga kjo, ka thënë Rama, nuk mund të lejohen më thyerje të vendimeve politike të grupit parlamentar dhe ndaj ka kërkuar analizimin e secilës prej tri mungesave të ndodhura në seancën e fundit, për të marrë masat konkrete për çdo shkelje. Kështu, ai i ka bërë të ditur Kryesisë se ndërsa disa deputetë si Fidel Ylli apo Gjovalin Kadeli megjithëse kishin shkaqe të forta, sakrifikuan dhe erdhën nga jashtë shtetit për të respektuar vendimin politik dhe për të marrë pjesë në votim. “Pas vendimit politik të grupit, Fidelin e çova nga shtrati pas operacionit për hernie diskale nga Amerika dhe erdhi. Xhovalin Kadeli la të shoqen të sëmurë nën mjekim në Itali dhe erdhi”, - mësohet të jetë shprehur Rama. Më tej ai ka informuar Kryesinë se deputetja Rudina Seseri nuk ka qenë në seancë pasi ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetes për shkak të angazhimeve të tjera profesionale. “Rudina Seseri dy ditë më parë, pas vendimit të grupit për të qenë të pranishëm të tërë në seancë, më ka paraqitur dorëheqjen dhe nuk do jetë më deputete. Në vend të saj do vijë kandidati i radhës që është në listë”, - mësohet të jetë shprehur Rama. Më tej ka qenë radha e Majkos që të shpjegojë shkaqet pse nuk ishte i pranishëm në votimin e Leskajt, pavarësisht se ishte i pranishëm gjatë punimeve të seancës plenare. Siç bëhet e ditur nga burime pranë kryesisë, Majko ka sqaruar se kishte arsye të qëndrueshme dhe që kishin lidhje me një takim të rëndësishëm që ai kishte zhvilluar në ambasadën gjermane lidhur me propozimin që i është bërë për të qenë ndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. “Nuk ia kam thënë askujt pasi çështja është delikate dhe s’doja ta thosha edhe sot, por meqë më duhet të argumentoj mungesën time, jam i detyruar të them ndoshta një sekret se kam qenë në një intervistë në ambasadën gjermane, pasi më kanë propozuar për ndihmës të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së”, - mësohet të jetë shprehur Majko. Argument ky që duket se është pranuar nga Kryesia dhe vetë kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili ka thënë se kjo gjë i bën nder PS-së.

Islami

Në vijim është debatuar rasti i mungesës së Kastriot Islamit. Mësohet se Rama ka propozuar çregjistrimin e tij nga grupi parlamentar. Por duket se nuk ka gjetur mbështetjen e gjithë Kryesisë në këtë nismë dhe kjo për shkak se Islami nuk ka qenë i pranishëm dhe ngaqë nuk ka pasur një qëndrim të shprehur prej tij lidhur me mospjesëmarrjen në seancë, është kërkuar që çështja t’i kalojë grupit. Nga burime pranë Kryesisë bëhet e ditur se ka qenë deputeti Arben Malaj ai që ka sugjeruar që të mos nxitohet në këtë çështje e të dëgjohet dhe vetë deputeti. Ndërkohë që Blushi ka propozuar që çështja t’i kalojë grupit dhe aty, Islami të mund të shprehë qëndrimin e tij. Në një situatë të tillë, Kryesia ka vendosur që të ngarkojë kryetarin e grupit, Gramoz Ruçi të bisedojë me të për të dëgjuar shkaqet e mosprezencës. Ruçi pasi të dëgjojë Islamin do të hartojë një raport, të cilin do ia paraqesë grupit parlamentar në mbledhjen e ardhshme, i cili do të vendosë nëse do i pranojë argumentet e thëna prej tij, apo do t’i rrëzojë. Rrëzimi në këtë rast do të sillte në mënyrë automatike dhe përjashtimin e Islamit nga grupi socialist.

Debate të ashpra në Kryesi për

ndarjen e zonave të deputetëve

Nuk ka qenë vetëm çështja e analizës dhe e marrjes së masave për shkeljet e vendimeve të grupit parlamentar pjesë e diskutimeve dhe debateve të djeshme në Kryesinë e Partisë Socialiste. Një çështje që ka shkaktuar jo pak debate të forta ka qenë edhe ajo e ndarjes së punës për anëtarët e kryesisë së re. Më konkretisht bëhet fjalë nëse anëtarët e Kryesisë duhet të jenë të deleguar të përhershëm të këtij forumi në zona në bazë territori apo duhet të jetë përfaqësues i saj sipas tematikës. Në lidhje me këtë debat mësohet se anëtarët e Kryesisë janë ndarë thuajse në dy grupe, ku njëri i përfaqësuar kryesisht nga Arben Ahmetaj, Ndre Legisi, Fatmir Xhafaj dhe Valentina Leskaj, kanë qenë që deputetët anëtarë kryesie të mos kenë zonën ku janë zgjedhur si territor të përhershëm përgjegjësie politike dhe elektorale. Ata kanë qenë të mendimit që anëtarët e Kryesisë të mos kenë një zonë të përhershme, por të shpërndahen në territore të caktuara sipas tematikave. Kjo sipas tyre do të bënte të mundur edhe mosdublimin e deputetëve të tjerë. Ndërkohë që përballë kësaj logjike kanë qëndruar një numër tjetër i konsiderueshëm anëtarësh kryesie, si Ben Blushi, Erion Braçe apo edhe Arta Dade, të cilët kanë këmbëngulur se anëtari i Kryesisë jo vetëm që duhet të jetë i deleguar në një zonë të përcaktuar, por ai duhet të jetë dhe përgjegjësi për veprimtarinë politike, organizative dhe elektorale të saj. “Nuk mund të konsiderohet e mbaruar puna e një anëtari kryesie në një zonë me 10 minuta që ai harxhon kur në të vjen kryetari i partisë”, - mësohet të jenë shprehur deputetët e grupimit të dytë. Ndërkohë që Blushi duke mbrojtur këtë ide, nuk ka nguruar ta cilësojë edhe si ‘idiot’ Ndre Legisin për qëndrimin që mbajti dhe logjikën e shprehur për këtë çështje. “Kësaj kryesie duket se iu dashkan edhe idiotët, ndaj edhe janë zgjedhur pjesë e saj”, - mësohet të jetë shprehur Blushi. Megjithatë, për të përcaktuar mënyrën e ndarjes së anëtarëve të Kryesisë nëpër zona, është lënë që të mblidhet një kryesi tjetër.

Ikja e Seserit dhe Majkos,

Ja emrat e rinj që vijnë

Dorëzimi prej Rudina Seserit i mandatit të deputetit, do të bëjë që Kuvendi i Shqipërisë të ketë një anëtar të ri. Kështu, vendin e Seserit në Kuvend do ta zërë Gjon Bardhi, i cili gjendet i gjashti në listën shumemërore të kandidatëve që Partia Socialiste paraqiti në zgjedhjet e 2009-ës. Por Bardhi, para se të zërë vendin e tij në sallën e Kuvendit, do duhet që të ndjekë procedurën ligjore dhe të marrë më parë mandatin e deputetit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ai do të jetë deputeti i pestë socialist që do të duhet të zëvendësojë një deputet që ka lënë mandatin. Më parë në radhët e socialistëve janë bërë pjesë e grupit duke zëvendësuar kolegë të mëparshëm, Arion Muçaj, Anduel Xhindi, Paulina Hoxha dhe Ndrec Dedaj. Por në rast se edhe Pandeli Majko do të marrë postin e propozuar në OKB, atëherë PS do të ketë dhe një deputet të gjashtë të ri. Ajo do të jetë Irena Kallco, e cila iu bë e njohur opinionit vetëm dy javë më parë kur kryesocialisti Edi Rama ia propozoi Asamblesë për anëtare kryesie, e cila gjatë votimit arriti të marrë vetëm 25 vota duke u renditur e fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›