E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seseri, letër Ramës dhe Topallit: Pse po e lë mandatin e deputetes

“Rishtazi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale, të cilat e bëjnë të pamundur të përmbush përgjegjësinë e detyrës së deputetit në vazhdimësi” .

Rudina Seseri nëpërmjet dy letrave që i ka dërguar përkatësisht kreut të PS-së, Edi Rama dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, u ka bërë me dije dorëheqjen nga mandati i deputetes për arsye personale. Në letrën e parë për Ramën që mban datën 14 dhjetor, deputetja e Krujës shprehet: “ I dashur Edi! Nëpërmjet kësaj letre më duhet t'ju njoftoj zyrtarisht se për arsye personale nuk do ta kem të mundur të vazhdoj detyrën e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Rishtazi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale, të cilat e bëjnë të pamundur të përmbush përgjegjësinë e detyrës së deputetit në vazhdimësi”. Më tej ekspertja e financave falenderon kreun e PS-së për mundësinë e rrallë, siç e quan ajo, që iu ofrua për t’u përfshirë në jetën politike në Shqipëri dhe për vlerësimin që Rama ka treguar në vazhdimësi. “Ky angazhim qe një eksperiencë unike për të kontribuar, së cilës i jam përgjigjur me kontributin tim të gjithkohshëm dhe të gjithanshëm. Mbi të gjitha, ju falenderoj që më rilidhët nga afër me bashkëqytetarët e mi, sidomos me popullin e Krujës, ndaj të cilit mbetem mirënjohëse dhe krenare”, shkruan Seseri në letrën e saj. Ajo në fund nuk harron që të sigurojë Ramën për mbështetjen e saj të palëkundur përmes ekspertizës profesionale në sfidën madhore të rimëkëmbjes së Shqipërisë.

Ndërsa në letrën për kryetaren e Kuvendit, Topalli, deputetja e PS-së i paraqet dorëheqjen nga posti i deputetes. “Nëpërmjet kësaj letre më duhet t'ju njoftoj zyrtarisht se për arsye personale nuk do ta kem të mundur të vazhdoj detyrën e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Rishtazi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale, të cilat e bëjnë të pamundur të përmbush përgjegjësinë e detyrës së deputetit në vazhdimësi. Shkëputja ime është efektive menjëherë dhe, në përputhje me ligjet në fuqi, mandati im i kalon kandidatit vijues të listës zgjedhore të Partisë Socialiste për Qarkun Durrës”, thuhet në letrën që Seseri i ka drejtuar Topallit.

Lajmi i dorëheqjes së Seserit qarkulloi dje pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, ku u analizua performanca e grupit opozitar ku disa deputetë, megjithëse kishte një vendim politik për të marrë pjesë në seancën plenare të së enjtes dhe për të votuar kundër kandidaturës së Bujar Leskajt për postin e kreut të KLSH-së. Në kryesi kur u analizua rasti i mungesës së Seserit, Rama u ka thënë anëtarëve të kryesisë se “Rudina Seseri ka dhënë dorëheqjen para pak ditësh, në një komunikim që unë kam pasur me të”. Rudina Seseri, një eksperte e njohur e fushës financiare, u zgjodh deputete e Kuvendit në zgjedhjet e qershorit 2009 në qarkun e Durrësit dhe përkatësisht në zonën e Krujës. Ajo njihet për kontributet profesionale që ka dhënë gjatë këtyre viteve në PS, në aspektin ekonomik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›