Majko: PS të shohë mundësinë për aleancë me AK dhe FRD. U mërzita nga takimi te Gjiri i Lalzit
Ish- kryeministri socialist, Pandeli Majko, në një intervistë të gjatë për Top Story, tha se nëse PS do kandidonte Fatos Nanon, ai nuk do merrte vota as nga vetë socialistët, pasi do kishte rrjedhje votash.
Majko tha se Nano ka të drejtë të rikthehet në politikë, por nuk është logjike që ai të kërkojë postin e kryetarit të PS në këto kushte ku ndodhet e majta.
Majko tha se është mërzitur nga takimi i Ramës me Metën në Gjirin e Lalzit. Ai shtoi se nuk ekziston mundësia e një aleance PS- LSI, nisur edhe nga veprimet e fundit të LSI në parlament. Ish- kryeministri socialist deklaroi se PS duhet të kthejë sytë nga Aleanca KuqeZi dhe FRD për aleanca. Ne nuk mund ta kalojmë binishin e të bërit opozitë po nuk kthyem sytë nga AK dhe FRD, tha Majko. Ai deklaroi se qeverisja është një kontratë e madhe shoqërore, për këtë arsye duhet bashkëpunuar edhe me parti të spektrit të djathtë.