E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Rama, më i mirë si kryeministër se si kryetar partie. Ikja e Zogut në vitin 1939 nuk ishte tradhti

Deputeti Pandeli Majko, në një intervistë të dhënë për emisionin Arena, është shprehur se Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat në BE, por me kushte.

Unë shpresoj në një ftesë të kushtëzuar, që do të thotë po shpresës së shqiptarëve për integrimin dhe presionit në rritje për marrëdhënien politike ende në krizë që ekziston në Shqipëri. Zyrtarët e BE-së duke iu dhënë shpresën qytetarëve shqiptarë  dhe duke iu bërë të qartë politikanëve shqiptarë se kjo histori nuk mund të vazhdojë pa mbarim, besoj se do të ishte zgjidhja më optimale,- pohon Majko.

I pyetur se si e shikon Edi Ramën si kryeministër, Majko thekson: E parashikoj si shumë më të mirë se sa në perceptimin  që është krijuar për të si kryetar partie. Një pjesë e aftësive të tij nuk janë më shumë politike se sa administrative, gjë që brenda partisë mund të krijojë atë që mund ta quajmë kontradiksion, por në administratë  ato do të kenë një kualitet shumë pozitiv që ka për tu ndjerë në qeverisje. Kjo do të thotë se jo çdo e keqe në opozitë është e keqe në pushtet dhe anasjelltas. Në këtë kuadër mendoj se Rama do të sjellë  një rifreskim të staturës, siç janë mësuar qytetarët ta shohin  qeverisjen në marrëdhënie me ta. Besoj se Rama do të jetë njeriu i vendimeve të forta, një individ, i cili do të shkruajë faqen e vet në histori dhe jo në librin e kujtimeve.

Ndërsa përsa i përket imunitetit, Majko nënvizon se kjo çështje është ngritur në një piedestal të paqenë për ta ofruar si standard i ndershmërisë apo i pandershmërisë.

Unë mendoj se ky lloj diskutimi fillon nga një marrëdhënie, që një pjesë e klasës politike ka përçuar në sistemin e drejtësisë  në marrëdhëniet me shtetin shqiptar, ndërtimin e një elite, apo në fenomenin e të paprekshmes. Këta të paprekshëm kanë krijuar një histori, e cila nuk ka kaluar pa u vënë re nga publiku shqiptar dhe kjo do të sjellë në vijim një varg problemesh dhe nuk ka të bëjë fare me diskutimin se heqja e imunitetit do të na bëjë më të ndershëm apo më pak të ndershëm, pasi do të ishte naive. Ky është vetëm njëri krah i diskutimit sepse nga krahu tjetër qëndron problemi i drejtësisë shqiptare, që lë shumë për të dëshiruar. Nëse sot shteti shqiptar ka një problem, është se ai nuk ka një gjykatës apo një prokuror, nga i cili të dridhen të gjithë, nga ai që është hajdut xhepi e deri tek ai që shkon me Benz në zyrë, thotë Majko.

Ndërsa përsa i përket aleancave para zgjedhore Majko është shprehur se është në vendimmarrjen e LSI-së që të gjykojë pozicionin e saj, dhe sipas tij kjo gjë do të ndodhë para zgjedhjeve. Majko tha se socialistët nuk mund të marrin mandolinat e ti këndojnë LSI-së se kur po vjen me ne. Majko tha se është ndjerë keq kur prokuroria kërkoi dy vite burg për Ilir Metën, por shtoi se nuk i ka telefonuar pasi ai më 21 janar ishte në shesh me kolegët e tij, pasi ishte i bindur se ajo video është e vërtetë. Majko tha se kishte menduar se Meta do dilte nga politika pas asaj pretence.

Majko ka thënë përgjigje befasuese në lidhje me Ahmet Zogun dhe Beqir Ballukun. I pyetur se: a keni ndonjë figurë që spikat në këto 100 vjet shtet dhe që spikat në bërjen e shtetit shqiptar? Majko tha: …Mendoj se ka akte që duhen vlerësuar dhe p.sh një akt që duhet vlerësuar është ai i largimit të Ahmet Zogut jashtë vendit në pushtimin e Italisë. Shumë historianë e kanë cilësuar si akt tradhtie, por për mua akti i largimit të mbretit Zog është akti i vetëm juridik që i tregonte botës së Shqipëria ishte pushtuar nga Italia dhe duhet vlerësuar me pozitivitet. Këtë e tregojnë edhe eksperiencat e huaja te mbretërve të tjerë. Këtu ka një hile, pasi një pjesë e shoqërisë shqiptare dhe e formacioneve antizogiste e përqafuan si pozitiv aktin e pushtimit nga Italia dhe pothuajse nuk flitet fare për deputetët që kanë firmosur për dorëzimin e kurorës të mbretit Zog, Italisë dhe ky është krim shtetëror. Nuk po them që kjo e zhvesh Ahmet Zogun nga të metat e tij, por ky akt mendoj se duhet te ndriçohet. Një tjetër akt që me ka bërë shumë përshtypje ka qenë në kohën kur Enver Hoxha ka qenë në mbledhjen e 81 partive në Moskë dhe në moment atasheu ushtarak rus ka shkuar tek zyra e ministrit te Mbrojtjes Beqir Ballukut. Në kohën kur e gjitha pjesa tjetër e partisë ishte në Rusi, Beqir Balluku ishte ai që komandonte dhe atij është thënë, nëse ata nuk kthehen, ne këtu mund ta rregullojmë situatën, pra i tha që ta drejtonte ai vendin. Më sa më është thënë përgjigjja e tij ka qenë të gjithë qytetarët rusë që ndodhen në Shqipëri, do të vendosen pas murit, nëse shokëve të mi do tu ndodhë gjë. Nuk dua as të ngre apo të ul ndonjë personazh, por nga pikëpamja aktit shtetëror të besnikërisë së një ministri ndaj drejtuesve të vet, si akt apo si fibër shtetëror hyn tek një aktet që unë vlerësoj më shumë….

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›