Dasma që u kthye në mort
Ende askush nuk di të thotë se pse kjo dasmë u kthye në një tragjedi horror. Disa thonë se shkak ka qenë një sherr për përplasjen e makinës, por policia dyshon për më shumë
Si një film horror mund të përshkruhet tragjedia e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Jagodinë të Elbasanit. Sherri me thika e ka kthyer dasmën në mort, në ditën që supozohet të jetë dita më e lumtur për çiftin. Dy persona gjetën vdekjen, një i tretë është në gjendje të rëndë.
Nusja e Jani Dushkut menjëherë pas kësaj ngjarje ka hequr vellon e bardhë, për tu veshur e gjitha me të zeza pas vdekjes së kunatit të saj, Mariglen Dushku dhe Pëllumb Belegut, dhëndrit të shtëpisë, ndërkohë që lufton me vdekjen vëllai tjetër i bashkëshortit, Mondi Dushku.
Në një intervistë për gazetën Panorama, Arbeni djali i xhaxhait të vëllezërve Dushku pohon se autorët e masakrës janë vëllezërit Blerim dhe Edmond Eshja.
Na e kanë treguar të plagosurit. Dhëndri Pëllumbi nuk ka arritur të flasë sepse ndërroi jetë rrugës për në spital. Por Marigleni dhe Mondi ishin më të vetëdijshëm në fillim dhe kanë përmendur emrat e tyre si vrasës. Marigleni pastaj vdiq pas tre orësh në spital, pohon Arbeni.
Ai tregon se vëllezërit Eshja kanë pasur miqësi që në fëmijëri me vëllezërit Dushku, madje ai tregon se Mondi ka qenë në Angli me Blerimin dhe se familjet e tyre kishin miqësi me njëra- tjetrën pasi janë pranë me shtëpi, arsye se përse ata ishin të ftuar në dasmën e vëllait të tyre.
Kushëriri përpiqet të rrëfejë atë çfarë di për masakrën, edhe pse ai, si shumë të afërm të tij, mbeten të paqartë për arsyet e krimit.
Ai pohon se ngjarja ka ndodhur pak metra larg lokalit të dasmës dhe se asgjë nuk është kuptuar derisa një nga dasmorët ka dalë jashtë pasi të konfliktuarit janë përleshur me thika.
Dikush nga dasmorët doli jashtë dhe bërtiti fort, duke u kthyer sërish brenda i lemerisur. U turrëm të gjithë nga dera, kur çtë shihnim! Tre persona të gjakosur të shtrirë përdhe. Ishin dy kushërinjtë e mi Marigleni dhe Mondi, si dhe dhëndri i shtëpisë së tyre, Pëllumbi. Dy vëllezërit u përpoqën të ngriheshin në këmbë, por u rrëzuan sërish, pohon Arbeni.
Sipas Arbenit masakra ka qenë një sherri të çastit nga pija, por deklaratat e policisë e hedhin poshtë këtë pohim.
Do të kryhet ekspertiza e plotë dhe mbledhja e dëshmive. Autorët e dyshuar pretendojnë se nuk e mbajnë mend krimin, por këto deklarime janë të zakonshme për tu mbrojtur më pas nga dënimi. Nëse do të kishin qenë aq të dehur, do të ishin rrëzuar rrugës teksa iknin nga vendi i krimit dhe jo të kishin logjikë të gjenin vende për tu fshehur apo edhe për tu arratisur jashtë Shqipërisë. Ende nuk dihen arsyet e kësaj masakre të shumëfishtë, por besojmë se shumë shpejt do ta zbulojmë pohojnë burime të Policisë së Elbasanit.
Gjithashtu nga policia bëhet e ditur se krimi nuk është kryer me thikat e lokalit, çka i bën ata të dyshojnë se sherri nuk ka nisur brenda lokalit.
Ndërkaq, asnjëri prej vëllezërve Eshja nuk ka asnjë plagë në trup, çka do të thotë se ata e kanë kryer krimin në mënyrë të befasishme duke lënë të vdekur Mariglen Dushkun, Pëllumb Belegun dhe plagosur rëndë vëllain e viktimës Mondi Dushkun.
Fillimisht ishte raportuar edhe se ata u konfliktuan për makinat, pasi duke ecur indietro, njëra nga makinat vetëm sa përplasi lehtë një tjetër, por pa i shkaktuar shenja.
Policia ka blinduar shtëpinë e vëllezërve Eshja pasi i druhet një hakmarrje të mundshme.