Majko pro shkarkimit të Metës: Promotor i mos seriozitetit të shtetit shqiptar

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko tha sot se shpreh votën time pro shkarkimit të Presidentit Ilir Meta, e cila më rëndon shumë, por është një votë që në thelb ka raportet me të vërtetën”.
Në fjalën e tij në Kuvend ministri Majko tha se “Presidenti i Republikës është një individ i burgosur nga privilegjet e veta, por jo e kundërta. Presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën, ka shkelur betimin e tij. Arsyeja pse kam dalë sot është për të nënvizuar pozitën time të vështirë”.
“Kryetari i grupit parlamentar e di shumë mirë që unë e kam refuzuar ta firmos për herë të parë kur u iniciua shkarkimi i Presidentit Meta. Por tani mendoj se Presidenti Meta është promotor i mos seriozitetit të shtetit shqiptar edhe karshi të tjerëve, është e pafalshme në çdo rast pavarësisht problemeve personale apo politike që ne mund të kemi me njëri-tjetrin midis mazhorancës edhe opozitës, kërkesave për të fituar më shumë se ai tjetri. Por në marrëdhënie me procesin zgjedhor në marrëdhënie me faktorët strategjikë ndërkombëtarë sidomos me politikën e SHBA-së askush në Shqipëri nuk i ka askujt borxh lidhur me këtë çështje”, – nënvizoi Majko.
Sipas tij, këshillat që në përgjithësi jepen në politikë se më mirë të të urrejnë për atë që je sesa të duan për atë që nuk je qëndron për rastin në fjalë që po diskutojmë sot.
Më tej Majko tha se “Ilir Meta ka qenë pjesë e jona dhe është votuar nga kjo masë votuesish. Historitë që nuk ka legjitimitet ky parlament, mendoj se kur është miratuar Kushtetuta e vitit 199 të gjithë ligjvënësit e kanë pasur shumë të qartë momentin e shkarkimit të Presidentit”.
“Momenti i shkarkimit të Presidentit duhet të kalojë në një mijë filtra. Kjo që diskutojmë sot dhe marrim vendim me votim të fshehtë do të gjykohet në Gjykatën Kushtetuese. Në thelb ne prodhojmë një akt që do të kalojë në filtrat e juristëve më me përvojë në Gjykatën Kushtetuese”, – nënvizoi Majko.
Majko tha se “raporti jonë me të vërtetën duhet të jetë i qartë dhe e qarta është e shkuar e zeza mbi të bardhë. Ndaj kam firmosur në kërkesën me 49 firma deputetësh ndaj do të votoj pro shkarkimit të Presidentit të Republikës”.