E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rilindje e dytë për Shqipërinë, sfidë avancimi i projektit evropian”

12-12-2012 / Gazeta 55

Themelimi i PD – kryeministri përshëndet demokratët në Facebook, aty ku ka mbi 100 mijë ndjekës

Kryeministri Sali Berisha ka uruar dje demokratët me rastin e 22-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike. Nga Facebook-u, kreu i qeverisë theksoi se themelimi i PD-së është dita e shpëtimit dhe e shpresës së madhe. “Sot kremtojmë 22 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Po bëhesha gati të shkruaja një status për këtë ngjarje dhe më erdhi në mënd ajo natë e ftohtë e 11 Dhjetorit 90 kur së bashku me një grup studentësh e intelektualësh, Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon etj, diskutuam dhe vendosëm themelimin e pluralizmit politik njëherazi dhe PD-në si forcë e parë opozitare të vërtetë të vendit. Themelimi i PD-së mund të quhet dita e shpëtimit dhe e shpresës së madhe, dita e rilindjes së vërtetë të dytë kombëtare sepse Partia Demokratike u themelua si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore në vendin ku ato ishin të ndaluara me Kushtetutë, e vokacionit perëndimor dhe integrimit Euro – Atlantik dhe Evropian të saj, si parti e interesit kombëtar dhe çështjes shqiptare. Asokohe ky vizion dukej thjesht një utopi, mbasi vendi kishte përjetuar izolimin më të thellë, mjerimin më të madh”, thekson Berisha.
Kreu i PD-së shpreh bindjen se së shpejti do të bëhet realitet ëndrra evropiane e të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut. “Shqiptarët jashtë Shqipërie në Rajon përjetonin pushtimin më të egër. Por sot, pas 22 vitesh, ëndrra e tyre, e një shoqërie të lirë, e shqiptarëve të lire kudo që ata jetojnë, e anëtarësimit në NATO, është bërë e vërtetë. Kam bindjen se nuk do të vonojë së shndërruari në realitet edhe shembja e murit të bllokimit dhe avancimit të madh të integrimit evropian”, thekson Berisha.
Berisha mbi 100 mijë fansa në Facebook/Faqja zyrtare e kryeministrit Sali Berisha në Facebook, vazhdon të mbetet më e klikuar nga qindra e mijëra të rinj dhe të reja, të pasionuar pas rrjeteve sociale. Për tre ditë, pasi anonçoi profilin e tij në Facebook, Berisha tejkaloi mbrëmë 100 mijë fansa. Trendi në rritje, i ndjekjes së profilit të kryeministrit në Facebook, përmes pëlqimeve (like), u vërejt që 24 orët e parë pas çeljes së saj, kur numri i ‘miqve’ të Berishës arriti mbi 30 mijë.
Sakaq, kryeministri ka qenë tepër aktiv në profilin e tij, duke ndarë me miqtë foto jo vetëm nga aktivitetet e të përditshme politike, por edhe momente familjare. Me mijëra pëlqime (like) dhe komente kanë marrë fotot dhe statuset e kryeministrit, gjatë kohës që ai ndan momentet me të rinjtë. Bashkëbisedimi me ta ishte dhe një nga arsyet e kryeministrit Berisha për tu bërë pjesë e Facebook-ut.
Kryeministri Sali Berisha e bëri publike faqen e tij në Facebook, gjatë takimit të tij me të rinjtë, në Ditën e Rinisë (8 dhjetor). Brenda pak orëve, u regjistrua një numër rekord klikimesh, komentesh, shpërndarjeve të fotove dhe postimeve të tij.
Nëpërmjet Facebook-ut kryeministri kërkon të jetë më afër të rinjve dhe të rejave që përdorin këtë rrjet social. Gjithashtu, ka sqaruar se edhe faktin se profili i tij nuk ndodhet thjesht si faqe zyrtare në Facebook, ku njerëzit mund të bëjnë komente e pëlqime postimeve të tij, por të gjithë ata që duan mund të bashkëbisedojnë me të nëpërmjet SMS-ve në telefonin celular (duke afishuar edhe nr. celular) ose mesazhe në “Whatsapp”, që qytetarët mund të dërgojnë në numrin e tij të telefonit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›