E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majlinda në mesin e yjeve

Majlinda Kelmendi është futur në mesin e yjeve më të mëdha të sportit botëror, në një projekt të gjigantit medial në Angli BBC, për Lojërat Olimpike Londra 2012. Ky projekt do të fillojë në verë të këtij viti, ndërsa pritet të përfundohet për 2 vjet.

Aty do të përfshihen 25 sportistë, të cilët pritet të shkëlqejnë në Londër, ndërsa në mesin e tyre, përpos Majlinda Kelmendit, gjenden edhe rekordmenët botërorë, notari amerikan Michael Phelps dhe atleti i mirënjohur xhamajkan, Usain Bolt.

Ditë më parë, ekipi i BBC-së kishte qëndruar në Kosovë për të filmuar detaje nga jeta dhe stërvitjet e kampiones botërore të xhudos për juniore, Majlinda Kelmendi.

“Ata erdhën dhe më vëzhguan në stërvitje, në shkollë, në shoqëri etj. Është ndjenjë e veçantë për mua që jam përfshirë në mesin e 25 sportistëve më të mirë të botës, që do të marrin pjesë në Olimpiadë. Pa dyshim, kjo do të jetë shtytje për mua që të mundohem të arrij suksese në Londër. Edhe fakti që jam e Kosovës dhe përfshihem në këtë listë do të jetë arsye dhe një motiv shtesë që të kem paraqitje dinjitoze atje”, ka thënë Kelmendi për Express.

BBC, në uebfaqen e vet zyrtare, ka shkruar më detajisht për këtë projekt multi-platformë, që do të transmetohet në televizion, radio dhe online. “Projekti pritet të fillojë më 27 qershor 2010, ndërsa BBC do t’i gjurmojë 25 atletë nga e mbarë botë, në përpjekjet e tyre për t’i shndërruar shpresat e tyre për sukses në Olimpiadën Londra 2012 në realitet. Kjo është seria e tretë e dokumentarëve, ku do të përfshihen 25 atletë nga 5 kontinente dhe nga 20 sporte të ndryshme olimpike”, shkruan BBC.

Gjiganti medial anglez përmend edhe sportistët që do të përfshihen në projekt, duke nisur nga: sprinteri xhamajkan Usain Bolt; xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi; luftëtari i taekwondos nga Afganistani, Rohullah Nikpai; mundësit irakianë Hussein Hamza e Nozad Haider; ylli britanik i NBA, Luol Deng dhe boksierja indiane MC Marykom.

BBC shkruan se do t’i vizitojë nëpër vendet e tyre të gjithë sportistët e përfshirë në projekt, ku do të bëhen xhirime të shkurtra dhe fotografime, ndërsa do të shfaqet një histori e shkurtër për karrierën e tyre. Aty do të përfshihen edhe regjimet e stërvitjeve personale, trajnerët, dieta, familja, shoqëria, çka pëlqejnë ata e çka jo dhe sakrificat që i bëjnë ata (sportistët).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›