E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makbule Ceco: Rama, humbjen e ktheu ne nje ngerc per vendin Bisedoi: Qamil Xhani

Kryetari aktual i Partise Socialiste, Edi Rama eshte politikani qe ka marre kritikat me te medha nga zerat kunder, mbi menyren se si e ka drejtuar partine gjate viteve te fundit. Humbja e zgjedhjeve, qendrimi ndaj mendimit ndryshe, kriteret e zgjedhjes se drejtuesve te rinj ne struktura dhe strategjia politike jane disa nga pikat, ku kundershtaret e kane siluruar me teper. Por per ish drejtuesen e strukturave te PS-se, Makbule Ceco, nese situata ne seline roze nuk eshte shume pozitive, kjo ka ardhur dhe si pasoje e figurave te tjera historike te PS-se, qe jane pershtatur me kete gjendje. Duke analizuar gjithe problematiken e se majtes, Ceco thote se konformizmi dhe servilizmi i disa prej drejtuesve te PS-se ndaj kryetarit te ri, ka bere qe PS-se te mos jete sot ne ditet e saj me te mira. “Pergjegjesine per kete gjendje e kane me se shumti z.Rama, por dhe te vjetrit e PS-se, me konformizmin prej servili, me hezitimin prej interesaxhiu, me nxitesin prej perfituesi e natyren kolltukofage, qe i rrine perkrah, qe e mbeshtesin, qe e duartrokasin, qe i shkojne nga pas, pse jo dhe qe e nxisin”, thote Ceco. Ne nje interviste dhene per “Koha Jone”, ish-nenkryetarja e Kuvendit dhe drejtuesja e strukturave te PS-se, kritikon dhe strategjine e re per vijimin e protestave duke e cilesuar ate si nje “nje rikthim prapa”, ne dem te interesave te vendit. Ndersa ne nje analize per opoziten nje vjecare, Ceco thote se kjo kohe u perdor qe humbja e PS, te kthehet ne nje “ngerc per vendin”.

Per nje pjese te opinionit greva e urise u cilesua si nje deshtim i PS, per vete PS-ne ishte nje sukses qe solli nisjen e negociatave. Cili eshte mendimi juaj per greven e urise?
Aktualisht jemi nje vit mbas zgjedhjeve te pergjithshme parlamentare dhe me pak se nje vit, kur qytetaret shqiptare do te votojne ne zgjedhjet e pergjithshme vendore, prandaj eshte me se e natyrshme qe opinioni te jete i interesuar e jo pak i prirur te gjykoje dhe te komentoje gjithe aksionin opozitar te Partise Socialiste, ne kete vit pas zgjedhor.
Sikurse del dhe nga formulimi i pyetjes tuaj opinioni dhe vleresimi mbi qendrimin e opozites gjate ketij viti, mbetet i dyzuar, me plot kundershtira, qe endet midis dy skajqendrimesh, deshtim-sukses, apo sukses-deshtim. Nje rishikim skematik i qendrimeve e zhvillimeve politike nje vjecare pas zgjedhore deshmon se PS, pasi humbi zgjedhjet, brenda pak muajsh ia arriti qe humbjen e saj ta shnderroje ne ngerc per institucionet dhe vendin, permes bojkotit te Parlamentit, nisjes se protestave masive, greves se urise, dhe pas gjashte muajsh u kthye ne Parlament, me nje bilanc pozitiv per veten. Sepse arriti te “mbylle” problemet e brendshme, te zgjidhe ceshtjen e lidershipit, te bllokoje cdo nisme serioze te maxhorances, por aspak te tille, madje mund te themi, negativ per vendin, mbasi nuk beri asgje per interesin publik, per reformat e premtuara, per nevojen e nje politike qe te vere ne epiqender interesin e pergjithshem te vendit dhe jo vetem interesat e ngushta pushtetore te saj. Ky qendrim opozitar solli humbje te medha energjish, kohe dhe imazhi per Shqiperine, thene ndryshe u krijua nje klime politike karakteristikat e tiparet e se ciles simbolikisht gjejne misherim ne thenien latine se “fucia e zbrazet ben me shume zhurme kur rrokulliset, sesa fucia e mbushur”. Greva e urise, bojkoti, protestat etj jane institucione te demokracise, por formimi i vullnetit te pergjithshem nuk eshte e nuk mund te jete rezultat imponimi. Perkundrazi, eshte rezultat i ndikimit te ndersjellte qe ushtrojne mbi njeri tjetrin shumica dhe pakica, mazhoranca dhe opozita. Forcat politike, ne nje shoqeri demokratike moderne, kane detyrimin per te prodhuar vertetesi, mbasi e verteta eshte virtyti themelor ne sistemin e mendimit, per me teper sic thekson Mishel Fuko, ky detyrim per vertetesi eshte pak a shume i ngjashem me detyrimin per te prodhuar te mira materiale e mireqenie. Madje i pari eshte kusht i te dytit. Por PS ne qendrimet e saj duket larg ketij detyrimi, e stacionuar dhe perqendruar brenda kutise politike, per hapjen e kutive duke iu rikthyer qendrimeve e mjeteve radikale. Deklarimet e ketyre diteve te lidershipit te PS per rikthim ne strategjine e protestave apo rivendosjen e marredhenieve te kushtezuara me Parlamentin, jane nje rikthim prapa, riperdorim i mjeteve dhe instrumentave qe nuk prodhuan rezultat apo produkt pozitiv per interesin publik dhe per vendin.
Ne grupin parlamentar te PS-se jane disa deputete qe ne menyre te hapur kane kundershtuar linjen politike te PS. Si e vleresoni qendrimin e tyre dhe si nje ish-drejtuese e strukturave te PS, cfare do u sugjeronit te benin, te vijonin oponencen brenda PS, apo sic shkruhet ne disa media te krijojne nje parti te re?
Situata qe po perjeton PS qe prej marrjes se drejtimit te saj nga z. Rama e te tijte (qofshin te vjeter ne PS dhe rishtare te sjelle prej tij), strategjia e ndjekur, fryma dhe filozofia politike, taktikat, instrumentet dhe mjetet e perdorura ne gjithe ballafaqimet politike qe e kane cuar PS nga humbja ne humbje, duhej kundershtuar me force dje dhe aq me shume sot, qe te mos arrihet ne gjendjen nga ku nuk mund te riparosh dot me asgje.
Ju vendoset te largoheshit nga PS per te krijuar se bashku me kolege te tjere PSV-91. Ne ate kohe e justifikuat vendimin si pasoje e nje politike perjashtuese nga drejtuesit e PS. Nderkohe sot lidershipi i PS deklaron se ka krijuar nje koalicion te madh opozitar, ku bejne pjese, Ndoka, Ngjela etj. Do ishin gati te bashkoheshit nese u behej nje ftese?
Degjova para disa ditesh nje titull shkrimi te nje gazete te perditshme qe shkruante: “Partia Socialiste, si kombetarja franceze pa ‘franceze’ brenda”. Nuk munda ta lexoja shkrimin por realisht PS eshte shnderruar,vecanerisht ne strukturat drejtuese te saj, me pak perjashtime, ne nje parti pa socialiste, c’ka shperfaqet e ravijezohet qartesisht dhe ne koalicionin e madh opozitar qe ka shpallur dhe qe nuk eshte tjeter vecse nje konglomerat emrash te pervecem qe nga krytari josocialist i saj e deri te aleatet e rinj Ndoka, Ngjela, Zogaj, Dule etj. Te cilet jane shquar si akrobate cirku apo atlete te kapercimit se larti, se gjeri e se gjati, pa permendur te ashtuquajturit aleate “natyrore” tejet te ngushte, qe tashme kane shpallur dhe jane ne procesin e shkrirjes si Veliaj e kompani. Dhe me se miri kesaj gjendjeje dhe ketij konglomerati i shkon per shtat nje proverb indian: "Mos u anko qe Perendia ka bere tigrin, por falenderoje qe nuk e ka bere edhe me flete”, qe do te thote se e keqja s'ka fund. Me pak fjale permbajtja e PS eshte reduktuar thjesht ne propagande kundra, ne retorike boshe e shterpe dhe aq me teper ne aleanca qe rezultojne te pavlefshme dhe nuk kane asnje projeksion afatgjate dhe te qendrueshem, qe do te thote mungese alternative reale, qe duhet te jete e bazuar mbi vlerat e saj dhe programe dhe jo mbi vleresime personale dhe kakofoni politike.
Si e parashikoni te ardhmen e se majtes, duke pasur parasysh se perpara jane dhe zgjedhjet lokale?
Qe nga lashtesia, Izokrati, terheq vemendjen e cdo politikani me thenien se “shpeshhere forca te vogla e hepojne fuqishem peshoren”. Ne kete kontekst, lidershipi i PS duhet te nderroje kursin e tij politik dhe te vije ne nje linje me kete te vertete. Sipas te ciles, gjithmone duhet te mesosh te degjosh, te bashkepunosh, te diskutosh, te rakordosh, te konsultosh, te ndash me te tjeret, sepse koha e perandoreve ka marre fund. Sepse nje parti, ashtu sikurse nje qeveri, ashtu sikurse nje shoqeri eshte demokratike “per aq sa anetaret marrin pjese ne debatin politik..., sepse bashkesia politike mund te mbeshtetet vetem ne debat dhe jo ne dhune”, imponim, diktat, autoritarizem. Eshte pikerisht ky standard i madh i demokracise qe dikton heqjen e “kemishes se forces”, qe i eshte veshur PS-se nga z. Rama e kompani, mundeson kapercimin e hermetizmit qe e ka shnderruar PS ne nje grumbull njerezish pa ze, ku pervec kryetarit e rrethit te tij, nuk pipetin askush tjeter, ku debati anatemohet dhe diktati pranohet me deshire, ku heshtja eshte shnderruar ne fatalitet, kapercimin e ngurtesimit ne politika tejet personale pa buke e humbese.
Per me teper, njejtesimi i kryetarit me partine dhe me tej edhe me Shqiperine, eshte gur themeli i cdo lloj sistemi diktatorial. Kursi i shpallur keto dite, rikthimi tek protestat dhe tek marredheniet e kushtezuara me Parlamentin, jane nje deshmi e qarte e te ardhmes se zymte, duke mbajtur parasysh se perpara jane dhe zgjedhjet lokale.
Ka disa zera kritike ne radhet e socialisteve per Ramen, por nderkohe ne menyre te qarte kete politike qe ju e kritikoni e mbeshtesin pa rezerva drejtues te PS-se si Gramoz Ruci, Namik Dokle, Pandeli Majko, Arta Dade, etj. Perse ndodh kjo, nuk u intereson atyre bashkimi i se majtes?
Kesaj gjendje ne PS i korespondon katerciperisht dhe e pasqyron shume mire situaten e saj thenia e Cercillit se “disa njerez e nderrojne partine per shkak te parimeve, ndersa disa te tjere nderrojne parimet per shkak te partise". Tashme, eshte nje parti e tjetersuar, eshte nje parti e bere prej copash qe duken si te lidhura rastesisht por te formatuara prej formulash te mirellogaritura interesash te ngushta, eshte shnderruar ne nje kazan qe vlon nga politika perjashtuese qe e ka pushtuar, nga fryma dhe filozofia autoritarise qe eshte ulur kembekryq dhe po i ze frymen dhe po e “mbyt” dita-dites, po e tkurr e po e mpak. Dhe pergjegjesine per kete gjendje e kane me se shumti nga z. Rama, te vjetrit e PS-se, me konformizmin prej servili, e hezitimin prej interesaxhiu,me nxitesin prej perfituesi e natyren kolltugofage, qe i rrine perkrah, qe e mbeshtesin, qe e duartrokasin, qe i shkojne nga pas,pse jo dhe qe e nxisin... Po e mbyll me thenien e madhe te Hygoit: “Aty ku detyra eshte e qarte, hezitimi eshte disfate”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›