E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina del nga rruga, 5 të plagosur rëndë

Burrel- Pesë persona kanë mbetur të plagosur rëndë, teksa kanë qenë duke udhëtuar të gjithë bashkë në një automjet. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ndodhi në aksin rrugor Milot-Burrel.

Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes ka rezultuar se të aksidentuarit kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip “Benz Mercedes”, i cili doli nga rruga dhe përfundoi në liqenin e Ulzës. Personat që ndodheshin brenda në makinë kanë marrë dëmtime të shumta, në pjesë të ndryshme të trupit, por kanë qenë me shenja jete, në momentin që janë gjetur nga kalimtarë të rastit, në atë rrugë.

Të gjakosur, ashtu si janë gjetur, fill pas aksidentin janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, për ndërhyrje të specializuar. Mjekët, që i pritën në urgjencë nuk kanë bërë të ditur detaje, por kanë thënë se gjendja e të plagpsurve është kritike.

Grupi i ekspertëve që mbërriti në vendin e ngjarjes, pas ekspertizës paraprake ka thënë se shkak për aksidentin ka qenë dalja nga një kthesë e automjetit, që mendohet se ka qenë duke u drejtuar me shpjetësi të madhe.

Policia është duke dokumentuar aksidentin, ndërkohë që ende nuk bën me dije identitetin e personave që u dëmtuan si pasojë e daljes së makinës nga rruga.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›