Ish-famullitari i Velipojës, dy muaj burg
Shkodër- Ish-famullitari i Velipojës, Don Marjan Ukaj është dënuar me dy muaj burg. Pas një procesi që zgjati prej 10 muajsh, Gjykata e Shkodrës ka vendosur, deklarimin fajtor të Ukaj, me akuzën e “pengimit të ceremonive fetare”.
Në senacën përfundimtare të zhvilluar në ngarkim të tij, trupi gjykues vendosi që ish-famullitari do të përfitojë nga lirimi me kusht, pasi vendimi i dhënë do të konvertohet.
Ukaj ishte akuzuar nga prokuroria për “kryerje të funksioneve pas dhënies fund të tyre”, si dhe “pengim të ceremonive fetare”, pas padisë së bërë në prokurori nga arqipeshkvi metropolitan i dioqezës Shkodër-Pult, Angjelo Masafra.
Por, famullitari që në fillim të procesit është deklaruar kundër dhe ka hedhur poshtë akuzat, duke e quajtur të padrejtë gjyqin ndaj tij. Sipas tij, të drejtën për gjykim në këtë rast e kishte vetëm Gjykata Supreme e Vatikanit.
Në fund të procesit, pas marrjes së vendimit Ukaj dhe avokati mbrojtës i tij pritet t’i drejtohen Gjykatës së Apelit, për të apeluar vendimin e dhënë dhe deklarimin e tij fajtor për këtë çështje.