Vlorë, bllokohet gomonia me 150 kg hashash
Vlorë- Policia kufitare e qarkut të Vlorës ka bllokuar një gomone me 150 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanbis sativa. Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyrtare të policisë së Kufirit dhe Migracionit në këtë qark, por ende nuk ka të dhëna për autorësinë.
Mjeti lundrues është diktuar në orët e vona të natës, në hapësirën detare në jugperëndim të Gadishullit të Karaburunit. Focat e policisë mbërritën në vendin ku u diktua gomonia dhe e sekuestruan atë në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që pas peshimit lënda narkotike rezuloi të ishte plot 1.5 kv.
“Gomonia ka një gjatësi 5.2 metra dhe u diktua nga policia kufitare e cila, e mbështetur dhe nga forcat e Repartit Antitrafik Delta Force, u vu në ndjekje të saj, për ta bllokuar pas një operacioni që zgjati më shumë se një orë”- thanë burimet e policisë.
Aktualisht, policia po heton rreth këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike dhe personave që kanë lidhje me të. Dyshimet e para, sipas policisë flasim për një destinacion të mundshëm vendin fqinj, por ende nuk ka të dhëna zyrtare.
Bllokimi u bë vetëm pak orë pas një operacioni të nisur në bashkëpunim mes forcave të policisë, të koduar me emrin “Deti i Pastër”, që synon kontrollin e mjeteve lundruese për të shmangur trafikun njerëzor, por edhe atë të narkotikëve.