E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ja si mund t u shpëtojmë vizave”

Autori i Lajmit: red.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste përshëndet nismën e fundit të Komisionit Evropian në drejtim të hapave që duhen ndërmarrë nga qeveria shqiptare për liberalizimin e vizave.
“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e konsideron udhëzuesin për liberalizimin e vizave mes vendeve të BE dhe Shqipërisë, si një dokument tepër të rëndësishëm për hedhjen e hapave të domosdoshme të parashikuara në të. Ne e shohim atë si një instrument që nxit realizimin e reformave të domosdoshme për thellimin e demokratizimit të vendit, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, - tha dje kreu i deputetëve socialistë, Valentina Leskaj. Në këtë kuadër, Leskaj tha se PS shumë shpejt do të dalë me disa propozime në funksion të përmirësimit të situatës, që shqiptarëve të mos u privohet mundësia e lëvizjes së lirë për shkak të paaftësisë së Qeverisë. Ajo pohoi se Qeveria ende nuk po tregon gatishmërinë dhe vullnetin e duhur përmes hapave konkretë për të përmbushur detyrimet e sanksionuara në dokumentin e lartpërmendur si dhe në MSA. Sipas saj, janë tepër shqetësuese vonesat e pajustifikuara në realizimin e prodhimit të kartave të identitetit dhe të pasaportave biometrike si dy nga elementet bazë për përmbushjen e detyrimeve të parashtruara jo vetëm në këtë udhëzues, por edhe në të gjitha thirrjet dhe deklaratat që ka bërë BE, pasi këto të dyja i hapin udhë liberalizimit të vizave. Leskaj u shpreh se krimi i organizuar është një ndër pengesat kryesore për realizimin e projektit të madh të liberalizimit të vizave me BE dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë.
Ky lajm është publikuar: 05/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›