Makina përfshihet nga flakët në Llogora, gjendet i djegur një person, dyshohet vetëvrasje

Një ngjarje e rëndë u raportua sot nga Qafa e Llogorasë. Një i ri u gjet i shkrumbuar brenda automjetit të tij, por nga shkalla e lartë e djegies identifikimi është vështirësuar për grupin hetimor. Pista e dyshuar mbetet ajo e vetëvrasjes.
Një automjet u raportua i djegur në Qafën e Llogorasë mesditën e kësaj të hëne.
Gazetarja e RTSH-së, Afrovita Hysaj, raporton nga vendngjarja se është gjetur i djegur edhe një shtetas ende i paidentifikuar.
“Menjëherë po kryhen nga “blutë” e Vlorës të gjitha procedurat përkatëse për të zbardhur këtë ngjarje“.
Automjeti është shkrumbuar totalisht bashkë me personin, gjë që ka bërë tepër të vështirë identifikimin e tij. Dyshimet e para janë se viktima mund të jetë nga qyteti i Beratit, nisur edhe nga fakti se automjeti është blerë në këtë qytet.
“Policia ka dy pista kryesore: është ajo e vetëvrasjes dhe pista tjetër e një atentati.”
Pista e cila qëndron më tepër është vetëvrasja. Grupi hetimor dyshon se viktima ka spërkatur mjetin me benzinë dhe është futur brenda tij, teksa është shkrumbuar nga flakët.
/rtsh.al/