Makolli priti një delegacion nga Austria

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, në një takim të veçantë, priti një delegacion nga Austria. Pjesë e këtij delegacioni ishin dr. Helga Krismer, zëvendëskryetare e bashkisë së qytetit të Badenit, anëtarë të këshillit bashkiak, përfaqësues të partive politike dhe nga mediet e shkruara.
Ministri Makolli, duke u uruar mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm treditor në Kosovë, tha se një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë jetojnë dhe punojnë në Austri.
“Shteti austriak i ka pranuar dhe i ka integruar mirë, dhe për këtë i shpreh mirënjohje dhe falënderime të thella. Jemi të gatshëm ta rritim nivelin e bashkëpunimit ndërinstitucional në të gjitha fushat, në mënyrë që të përfitojë mërgata, me prioritet të veçantë mësimi plotësues”, tha ai. Më tutje, ministri Makolli e njoftoi delegacionin austriak për punën dhe aktivitetet e Ministrisë së Diasporës, si dhe për historikun dhe rolin që ka pasur e ka diaspora në zhvillimin e Kosovës.
Ndërkaq, Krismer, duke e falënderuar ministrin Makolli për pritjen, u shprehën të impresionuar me e zhvillimin e Kosovës. Ajo theksoi se në komunën e Badenit jeton një numër i madh i shqiptarëve nga Kosova. Kjo komunë është munduar të ndihmojë mbajtjen e lidhjeve me vendlindjen dhe kultivimin e kulturës dhe traditës së tyre kombëtare nëpërmjet ndihmës dhe përkrahjes së shkollës e mësimit shqip.
“Presim që në të ardhmen t’i shtojmë kontaktet dhe bashkëpunimin. Mërgimtarët tuaj dhe qytetarët tanë, në këtë rast, të jenë urë lidhëse dhe mundësi për shkëmbim kulture dhe për të investuar e për të bërë biznes të dyja vendet tona”, tha ndër të tjera Krismer.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, ministri Makolli i nderoi anëtarët e këtij delegacioni me nga një dhuratë, “Hyjnesha në fron”./Indeksonline/