E Diel, 1 Nëntor 2026

Maks Velo: Olldashi ngatërron planin francez me konkursin e sheshit

Artan Lame: Përfaqësuesit e qeverisë në këto konkurse dhe KRRT bëjnë vetëm rolin e spiunit

Piktori dhe arkitekti Maks Velo, një nga anëtarët e jurisë së konkursit për rivitalizimin e sheshit “Skënderbej”, shprehet se debati i fundit për punimet në qendër të kryeqytetit nuk është tjetër veçse luftë politike. Ai kujton se konkursi për sheshin “Skënderbej” nuk mund të ngatërrohet me planin francez për Tiranën. Kjo, pasi ky plan përfshin të gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga sheshi “Nënë Tereza”, deri te Stacioni i Trenit. Ndërsa hedh poshtë ndryshimin e projektit për sheshin. Lidhur me këtë të fundit, Velo saktëson se arkitekti i firmës belge që u shpall fituese e konkursit e ka rishikuar disa herë projektin, por kjo në funksion të prakticitetit të tij gjatë zbatimit në terren. Madje për këtë, shton arkitekti Velo, është botuar edhe një libër, me të gjitha projektet konkurruese për sheshin qendror të Tiranës.

Maks Velo sqaron gjithashtu, se ky projekt u zgjodh edhe për arsyen se i përshtatej më së miri sipërfaqes së një sheshi si ai “Skënderbej” dhe mund të realizohej nga ne. Ai thotë se ky projekt siguron shtimin e gjelbërimit dhe rrethimin e sheshit në qendër me kurorën jeshile. Po kështu thekson se gjatë fazës së parë të punimeve do të bëhet ndërtimi i sheshit, ndërsa në fazën e dytë do të ngrihen dy objekte, njëri në bulevard dhe tjetri përpara Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, piktori dhe arkitekti i njohur, Maks Velo, kujton se përfaqësuesi i qeverisë, Marin Biçoku, ka qenë anëtar i jurisë në këtë konkurs. Gjithashtu, thotë Velo, ai ka qenë edhe në mbledhjen e KRRT-së që miratoi këtë projekt. Në të njëjtën linjë qëndron edhe Artan Lame, i cili shprehet se Olldashi nuk mund të flasë ditën kur bashkia ka filluar punë. Sipas tij, po bëhet një praktikë shumë e keqe, pasi qeveria ka përfaqësuesit e vetë në këto konkurse, por të vetmin rol që luajnë ata, thotë Lame, është roli i spiunit. Ndërsa shton se Olldashi nuk mund të kërkojë dorëzimin e projektit në KRRTRSH. Ai e konsideron këtë si një çështje totalisht të sajuar dhe e shikon si të denatyruar misionin e KRRTRSH-së. “Ky është një organizëm ku palët duhet të mblidhen për të zgjidhur një hall, por tani është kthyer në një organizëm për të bllokuar ndonjë gjë”, shprehet Lame. Ai mendon se shqiptarët do të kishin dashur të shikonin Kryeministrin dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që të dilnin së bashku për të nisur punimet e sheshit kryesor historik të Shqipërisë. “Ky, thotë Lame, do të ishte mesazhi më i mirë që do t’u jepnin qytetarëve, por në fakt shton ai i pamë të barrikaduar në barrikadat përkatëse. Jashtë barrikadës ishin vetëm ata që kanë luftuar, Skënderbeu dhe turqit”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›