E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS nuk është e përgatitur për zgjedhje të parakohshme

Islami: Kongresi, Rama bën gati spastrimin e “Mendimit ndryshe”

Situata e tanishme politike është vetëm një raund stereotipik i asaj krize që gjen shprehjen e vet në stërzgjatjen e tranzicionit. Hetimi i problemit vetëm te pushteti është një analizë që jo vetëm lë në hije elementë të tjerë të rëndësishëm që hedhin farën e një krize të re nesër, por i diktojnë elektoratit një votim të detyruar jashtë mundësive së vlerësimit të alternativave. Prof. dr. Kastriot Islami, deputet dhe drejtues i vjetër i Partisë Socialiste, ofron në intervistën me “Shqip” një këndvështrim alternativ rreth atij që mund të quhet “përgjegjësia e opozitës” për situatën e tanishme politike. Pas veprimeve të pushtetit, ai tërheq vëmendjen rreth qëndrimeve të PS-së, si forcë përfaqësuese e opozitës, e cila avantazhin e gabimeve të shumicës aktuale nuk ka ditur ta konvertojë në kapital politik. Pa program, pa platformë veprimi, pa vizion dhe me një sens ngurtësues të jetës së brendshme, PS-ja sipas Islamit po i mundëson Berishës hapësirën e nevojshme për të manovruar. Ky paradoks që hetohet nga rezultati i politikës bojkotuese të 8 muajve, ngre pikëpyetje mbi kapacitetet e opozitës, mbi seriozitetin e saj në transformimin në një alternativë të vërtetë për elektoratin dhe për më shumë mbi realizimin e atij premtimi që u dha në 2005-n e që konsiston në krijimin e një force me frymë të re. Sipas Islamit, raporti i krijuar me institucionet, me vendimin e elektoratit, me normat e partisë dhe me përgjegjësinë që shtrojnë sfidat e ardhshme janë fakte të pamohueshme të asaj që mund të quhet një krizë e opozitës brenda krizës kryesore politike.

8 muaj pas zgjedhjeve PS-ja ka vendosur të ndryshojë diçka nga qëndrimi i vet politik. Mund të themi se kemi hyrë në një fazë të re të krizës politike. Si do ta përmblidhnit ju këtë vijë politike të ndjekur nga opozita, të paktën në kontekstin e produktit të saj?

Për shkak të presionit ndërkombëtar duket sikur qëndrimi i PS-së ka ndryshuar, por në thelb ai mbetet i njëjtë. Bojkot dhe protesta. Por tani e tutje PS-ja do të perceptohet si një qëndrim me dy faqe. Nga njëra anë grupi kuvendor do të shkojë vetëm disa minuta në Kuvend e pasi të mbajë dikush fjalën e radhës do të largohet; këtë sjellje PS-ja do t’ua raportojë ndërkombëtarëve si ndërprerje të bojkotit, duke menduar se ata do të kënaqen nga ky “progres”, pavarësisht se kanë dhënë mesazhin e qartë për të shkuar e qëndruar përgjithmonë në Kuvend dhe zgjidhur mosmarrëveshjet vetëm atje. Nga ana tjetër, deputetët e PS-së duhet t’u kërkojnë militantëve të marrin pjesë në protesta duke ju shpjeguar se PS-ja në fakt është jashtë Kuvendit e vazhdon bojkotin si më parë dhe vajtja disa minutëshe është thjesht për ndërkombëtarët që bëjnë presion. Dhe kështu, me shpresën e protestave të mëdha (që radhën tjetër me siguri do të raportohet 200 mijëshe) do të mbahet gjallë mbështetja për të rrëzuar qeverinë në afate që ndryshojnë, para verës e pas verës, para vjeshtës e pas vjeshtës, para dhjetorit e pas dhjetorit; dhe kështu mendohet të shtyhet axhenda politike radikale deri në zgjedhjet vendore. E pastaj Berisha do të bëjë antimitingun e tij të radhës që do ta “shesë” për 1 milion veta në mbështetje të reformave “madhështore” të qeverisë së tij. Problemi themelor është se PS-ja nuk ka as program dhe as plan veprimi, as për protestat, as për zgjedhjet e parakohshme dhe as një strategji daljeje nga kjo sjellje radikale. PS-ja përfundimisht është futur në spiralen e veprimeve radikale, me idenë se qeveria do të lodhet dhe me shpresën se kriza ekonomike do ta rrëzojë atë. Kjo ka krijuar përshtypjen se PS-ja nuk ka më besim për të fituar zgjedhjet, duke siguruar mbështetjen e elektoratit përmes një programi alternativ bindës e fitues, por e vetmja strategji “suksesi” e PS-së është “humbja/rrëzimi i PD” përmes lodhjes e rraskapitjes si pasojë e radikalizimit të veprimeve të PS-së. Rama duket se ka arritur në përfundimin se vetëm një PS e ngjashme me PD, kopje identike e saj, mund të fitojë mbi PD-në apo më saktë PS-ja do ta rrëzojë PD-në duke e lodhur me stilin që PD-ja lodhi PS-në kur ajo ishte në pushtet. Ka shumë gjasa të rezultojë skemë e dështuar. Aq më tepër që edhe analiza për PD-në është e gabuar, sepse PD-ja humbi gjithnjë duke ndjekur këtë kurs dhe fitoi vetëm kur doli nga kjo spirale. Bojkoti dhe kriza shoqëruese, ndryshe nga çmendohet, gjithashtu ka bërë që imazhi perëndimor e europian i PS-së të goditet e dëmtohet rëndë, duke u perceptuar një forcë politike jashtëparlamentare dhe antisistem. Sepse ndërkombëtarët qartas kanë kërkuar që opozita dhe mazhoranca duhet të punojnë së bashku në Kuvend për interesat e vendit e të qytetarëve, mbi të gjitha për çështjet që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave dhe fitimin e statusit të vendit kandidat për në BE dhe jo për interesa partiake. Fatkeqësisht përmes një teknologjie të vjetër e gjithë kjo sjellje e PS-së shitet sikur e kërkon “populli opozitar”, i cili paraprakisht është mashtruar duke i thënë se “rruga e bojkotit dhe e protestave është e vetmja për hapjen e kutive dhe zgjedhjet e parakohshme”. Dhe e gjithë kjo rivjen e paraqitet në podiume si mbështetje masive për radikalët promovues të “bojkotit e protestave”, ndërkohë që prej tetë muajsh inkasohen dështime qoftë për sa i përket hapjes së kutive, qoftë arritjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe ndodh ekzaktësisht ashtu siç kanë thënë ata që mendojnë ndryshe dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe e kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

Ngritja e komisionit hetimor u refuzua të njihet nga PS-ja për shkak të mos përfshirjes në objektin e tij të hapjes së kutive. Cili është mendimi juaj rreth këtij qëndrimi dhe sipas jush a ekzistojnë më opsione juridike, të cilat të mund të përqasin sugjerimet e të dyja palëve?

Dihej nga të gjithë në PS se ajo seancë do të përfundonte ashtu siç përfundoi. Dikush me cinizëm nga ndërkombëtarët më tha se “derisa në vendin tuaj Kushtetuta të parashikojë vetëm një post për Kryeministër, kjo krizë nuk do të gjejë zgjidhje dhe ajo do të përsëritet në mënyrë ciklike, pavarësisht se kush fiton dhe si fiton”. Ngërçi për “hapjen apo moshapjen e kutive” ka në themel debatin dhe mospajtimin për legjitimitetin e Kuvendit dhe të qeverisë së rrjedhur prej tij. Natyrisht në këtë luftë të egër për pushtet, ku janë të përfshirë edhe të gjithë mekanizmat dhe elementët financiarë e mediatikë, të ashpërsuar edhe për shkak të krizës ekonomike, globale e lokale, në lojë është edhe “beteja e madhe për Bashkinë e Tiranës”. Prandaj beteja duket se do të ashpërsohet në muajt në vazhdim, aq sa në horizontin e zgjedhjeve vendore duket si beteja finale. Këtë analizë e bashkëndajnë të gjithë ata që shikojnë e lexojnë përtej deklaratave për “kushtetutshmërinë, transparencën dhe hapjen e kutive” dhe mbi të gjitha ndërkombëtarët e kanë shumë të qartë të vërtetën e sjelljeve të lidershipit mazhoritar e atij opozitar. Qëndrimet e palëve për zgjedhjet janë diametralisht të kundërta, sepse PD-ja mban qëndrimin se “Kuvendi është legjitim”, kurse PS-ja mban qëndrimin se “Kuvendi nuk është legjitim”. Dhe mbi këtë bazë PS-ja ka përcaktuar objektivin dhe mekanizimin e “hapjes së kutive” për arritjen e qëllimit të saj. Pra PS-ja përmes “hapjes së kutive” kërkon të vërtetojë se Kuvendi është ilegjitim, pavarësisht se e maskon këtë qëllim. Pra jemi në një situatë që opozita kërkon të bindë mazhorancën se ajo është jolegjitime. Ndërkohë që mazhoranca në qëndrimin e saj paraqet dy argumente 1) certifikimin nga KQZ-ja, Kolegji Zgjedhor dhe 20 mijë komisionerët e PS-së të rezultatit legal të zgjedhjeve;
dhe 2) “certifikimin” nga OSBE/ODIHR të legjitimitetit të zgjedhjeve, pavarësisht parregullsive dhe shkeljeve procedurale të shumta. Edhe për sa i përket “termit krizë” duhet sqaruar se ai është futur për të përshkruar situatën politike, pasi PS-ja ka aplikuar bojkotin e saj të zgjatur. Besoj se zgjidhja e qëndrueshme dhe afatgjatë arrihet vetëm nëse palët e kërkojnë atë në shtratin e shtetit ligjor, pra duke respektuar 1) Kushtetutën,
2) Kodin Zgjedhor dhe 3) vendimet e gjykatave. Në këtë kuadër ka vetëm 2 mundësi: a) nëse palët nuk bien dakord për të gjetur se kush ka prioritet “kushtetutshmëria apo transparenca” për “hapjen e kutive” ato duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe më tej eventualisht Komisionit të Venecias ose b) të pranojnë hetimin e vetëm materialeve zgjedhore sipas parashikimeve në Kodit Zgjedhor.

Ju lutem një koment rreth qëndrimit të faktorit ndërkombëtar dhe a ka shanse që edhe kjo krizë do të ndërmjetësohet prej tyre? Sa mendoni ju se ka vend ndërkaq edhe për një rol të Presidentit në këtë situatë?

Komuniteti ndërkombëtar realisht ka preferuar t’ia lërë zgjidhjen klasës politike shqiptare. Ndërkombëtarët që e kuptojnë shumë mirë situatën politike shqiptare, me hilet dhe interesat e ngushta personale të lidershipit shqiptar, përtej retorikës së tyre për parime e të tjera bla-bla qëllimisht preferojnë të mos futen në këtë “çorbë” shqiptare deri në momentin kur stabiliteti e siguria nuk janë vënë në rrezik. Gjykoj se për një kohë të gjatë kjo krizë do të mbetet në këto nivele, me “hyrje dalje” në Kuvend dhe protesta sezonale dhe asgjë më shumë. Pak thellim do të ketë kriza në zgjedhjet e ardhshme vendore kryesisht për shkak të rikandidimit shumë të mundshëm të Ramës për Bashkinë e Tiranës. Ndërkombëtarët nuk do të ndërhynin edhe nëse PS do të kërcënonte me mospjesëmarrjen në zgjedhjet vendore dhe këtë PS e ka të qartë. Ndërkombëtarët vetëm do të asistojnë (ndihmojnë) zgjidhjen e krizës përmes një angazhimi proporcional me përmasën e krizës, por nuk do të jenë ata që do të zgjidhin apo ndërhyjnë për zgjidhjen e krizës. Nëse kriza do të kalonte pragun në kuptimin e cenimit të sigurisë e stabilitetit, atëherë do të mund të vihej në veprim një mekanizëm veprimi disproporcional. Presidenti nuk mendoj se po t’i referohemi Kushtetutës mund të luajë rol më të madh se ai që kreu me rastin e vizitës së Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të KE. Në veprimet e fundit, Presidenti ishte institucional dhe korrekt, ndërkohë që mungesa e suksesit për zgjidhjen e krizës nuk lidhet me rolin e tij, por me mungesën e vullnetit të palëve për gjetjen e zgjidhjes.

Protesta dhe një marrëdhënie e kushtëzuar me Parlamentin; ky është kursi i ri politik i PS. A është realist ky qëndrim sidomos në artikulimin e objektivit për zgjedhje të parakohshme?

PS vazhdon të ndodhet në të njëjtën spirale. Asgjë nuk ka ndryshuar në thelb; thjesht një qëndrim me dy faqe për t’iu paraqitur ndryshe ndërkombëtarëve dhe ndryshe militantëve. Gjykoj se ky qëndrim vazhdon të dëmtojë imazhin perëndimor të PS. PS nuk do të mund të arrijë asgjë në këtë rrugë, vetëm se rrit gjasat për humbje në zgjedhjet e ardhshme vendore e më tej të përgjithshme. As hapjen e kutive ashtu siç e kërkon Rama nuk e realizon ky kurs. As zgjedhje të parakohshme nuk arrihen duke ndjekur këtë kurs. As krizë ekonomike që rrëzon qeverinë nuk mund të ketë sipas këtij kursi. Ripërsëris se Rama i mirëkuptuar me Berishën me amendimet kushtetuese për 1) mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, 2) mocionin e besimit të Kryeministrit dhe 3) mocionin e mosbesimit konstruktiv për Kryeministrin ia ka hequr të gjitha mundësitë opozitës socialiste që të realizojë zgjedhje të parakohshme. As me protesta paqësore nuk ka asnjë mundësi të rrëzohet qeveria pra që të detyrohet të pranojë zgjedhje të parakohshme. Nuk besoj se PS do të përpiqet ta arrijë këtë objektiv me rrugë revolucionare. Edhe teza e fundit socialiste se do të ketë zgjedhje të parakohshme të kërkuara nga vetë Berisha euforik pas liberalizimit të vizave më duket shumë naive për t’u besuar dhe realizuar.

Në vijim të pyetjes së mësipërme sa gati është sipas jush PS për një raund elektoral në rang vendi, duke mos neglizhuar këtu një tablo përfshirëse të së majtës vështruar edhe në dritën e raporteve të verifikuara në zgjedhjet e fundit?

PS nuk është e përgatitur momentalisht për zgjedhje të parakohshme. Se me përçarjen që ekziston aktualisht në të majtën shqiptare dhe pa një bashkim të madh të së majtës, PD fiton përsëri më thellë dhe me më siguri zgjedhjet e ardhshme. Nëse Berisha do të bllofonte duke i pranuar zgjedhjet e parakohshme, Rama pas kërkesës për zgjedhje të parakohshme do të kërkonte qeveri teknike pa Berishën, gjë që e kanë artikuluar në mënyrë të pamaturuar disa aleatë të PS. Nëse PS vazhdon të rrokulliset në këtë spirale, duke bojkotuar dhe bërë vetëm protesta dhe duke u përgatitur, humbja në zgjedhjet vendore të vitit tjetër në disa qytete kryesore si Durrës e Elbasan dhe në shumë komuna do të ishte e pashmangshme. Kurse për Tiranën nëse Rama do të rikandidojë (që duket shumë probabël) dhe nëse rezultati do të ishte i paqartë me shumë gjasa do të rishfaqej “skema tironse e Ruzhdies”. Dhe më tej shpresa dhe aksioni për zgjedhje të parakohshme do të bazoheshin në bashkimin e “Ruzhdies fierake” me “Ruzhdien tironse”. PS drejt një rrudhje e përçarje të re, në konflikt të pariparueshëm në periudhën afatshkurtër me LSI dhe në një bashkim artificial deri anakronik me forcat e majta, por edhe ku janë përfshirë edhe radikalë pa peshë nga e djathta nuk ka asnjë shans të fitojë zgjedhjet e ardhshme, duke ndjekur kursin radikal.

Z. Islami cili është aktualisht roli i LMN brenda PS? A mund të priten iniciativa politike prej saj apo edhe një përpjekje për të institucionalizuar hapësira të reja për mendimin ndryshe? Sa larg jeni ju me ekipin drejtues të PS dhe sa gjasë ka që kjo distancë të kalojë moralisht detyrimin për disiplinë partiake?

Rama “adhuron” modelin autoritar të Berishës dhe prej vitit 2005, por më intensivisht pas vitit 2009 përpiqet që ta shndërrojë PS në një kopje të PD. Forumet nuk mblidhen se Rama nuk e duron debatin, kurse disa klientelistë tradicionalë për këtë bëjnë përgjegjës mendimin ndryshe. Mbledhjet janë formale ku radikalët ekstremistë merren vetëm me mendimin ndryshe. Mendimi ndryshe kërcënohet dhe goditet e ndoshta do të përjashtohet me argumentin qesharak se nuk e do baza. Figurat kryesore janë goditur duke i hequr nga të gjithë delegacionet kuvendore me argumentin se mendimi ndryshe nuk duhet të ketë status për t’u takuar me ndërkombëtarët. Kongresi i prillit nën orkestrimin e Ramës përgatit spastrimin e mendimit ndryshe me gjoja votën demokratike të kongresmenëve ndaj të gjithë atyre që kanë shkuar shumë larg. Fatkeqësisht gjasat janë të mëdha që “kopja Rama” t’i afrohet shumë “origjinalit Berisha”, por nëse kjo nuk shmanget, shansi që “kopja Rama” të mundë “origjinalin Berisha” është pothuajse zero, sepse edhe më 28 qershor 2009 shumë votues inteligjentë preferuan origjinalin në vend të kopjes dhe në rastin më të keq asnjërin. Dhe kjo do të ndodhë përsëri dhe këtë radhë edhe më masivisht, sepse kopja Rama duke qenë më e re perceptohet edhe si më e rrezikshme. LMN me qetësi është përpjekur ta fusë PS në normalitet. Gjithçka ka thënë LMN është provuar. Debati “humbi apo nuk humbi PS” tregoi ashtu siç tha LMN se PS është në opozitë. Debati për bojkotin i dha të drejtë LMN se PS ndonëse nën detyrimin ndërkombëtar u fut në Kuvend pa i hapur kutitë. Po ashtu lidhur me hapjen e kutive lidershipi i PS ashtu siç parashikoi LMN ka dështuar deri tani dhe me siguri do të dështojë edhe në të ardhmen. Lidhur me realizimin e zgjedhjeve të parakohshme përmes protestave, PS ka dështuar deri tani ashtu siç e ka parashikuar LMN. LMN ka paralajmëruar për goditjen dhe përjashtimin e mendimit ndryshe dhe kjo është bërë realitet dhe në ditët në vijim duket të realizohet plotësisht. LMN ka parashikuar se në këtë rrugë, PS e përçarë dhe një e majtë e fragmentuar, me shumë gjasa do të humbë zgjedhjet vendore; kjo mbetet për t’u provuar. LMN ka propozuar gjatë të gjithë kohës ndërtimin e një statuti që respekton mendimin ndryshe dhe që është përfshirës për të gjithë vlerat e kontributet socialiste, por gjasat janë që Rama t’i orientojë ndryshimet në drejtim krejt të kundërt. LMN ka propozuar një projekt bashkimi të së majtës, kurse Rama artikulon qëndrime armiqësore ndaj LSI dhe synon përjashtimin e mendimit ndryshe. Por LMN e qetë dhe racionale, pa ngut e nxitim do të vazhdojë të kontribuojë për një PS socialiste e demokratike, të hapë e zgjerojë deri në fund hapësirat e ngushtuara e të mbyllura të mendimit alternativ e të vërtetë socialist, të ngrejë pa u lodhur të gjithë urat e bashkimit e komunikimit kudo ku janë hapur hendeqet e ndarjeve dhe të përjashtimeve, e tjerë e tjerë...

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›