Makthi me tetë këmbë i kryeqytetit
Me maskë në fytyrë, sy të mbuluar por në mënyrë të tejdukshme për të parë mirë edhe krijesat më të vogla, me duar të futura në dorashka të bardha, që futen poshtë banakut, brenda ekspresit të kafesë, në orë të vona të natës, larg syrit dhe pranisë fizike të të tjerëve. Po dezinfektoni prej buburrecave?, pyet, e shtyrë nga të tjera zbulime si tinëz apo haptas, të gjithmonë e më shumë mjediseve me buburreca. Të memorizuara ngado, në ambiente publike ku hahet, në zyra-pritjeje, duke blerë në ndonjë dyqan, duke ecur kalimthi korridoreve, duke biseduar me sinqeritet me njerëz që dinë të flasin hapur. -Pse mos ke vetë në shtëpi, që po pyet?!, kthen aty për aty përgjigje me nervozizëm punonjësi, meqë me sa duket ke zbuluar të fshehtën e tyre të pakëndshme si kliente e orëve të vona të natës, teksa shoqëron mbylljen e një prej bareve më të frekuentuar në Tiranë.
Tregon më pas se është punonjës i një agjencie dezinfektimi, e cila këto vitet e fundit po ka goxha punë në Tiranën e mbipopulluar gjithmonë e më shumë edhe nga buburrecat, ose ndryshe furrtaret. Një mori dyqanesh, lokalesh, institucionesh apo dhe shtëpish në kryeqytet janë të mbushura me buburreca. Na telefonojnë gjithmonë e më shumë për dezinfektime ambientesh, sidomos prej furrtareve, por edhe për miza, milingona, minj etj, tregon Haxhi Aliko, administrator i agjencisë Alex 99, e krijuar që nga viti 99 për të tilla shërbime higjenike, dezinfektuese. Por me njëri-tjetrin shumë qytetarë ose pëshpërisin nën zë në rrethe ngushta, ose nga turpi e fshehin dhe mohojnë krejt faktin shqetësues të të pasurit buburreca tek kuzhina e shtëpisë, në ekspresin e bar-kafesë, në bulierin për ngrohjen e ujit, në furrën e bukës, minimarketin, supermarketin apo në zyrën qoftë edhe më luksozja në komoditet apo më prestigjiozja në emër, të cilat në skutat e tyre fshehen vatra insektesh, e sidomos furrtaresh, deri plot e përplot me ta. Së pari vrapojnë tek dyqanet që ofrojnë ilaçe vetëpërdorimshe, herë efikase e herë një mundim i kotë se buburrecat prapë nuk iu zhduken edhe pse nuk dinë ti përdorin, ose dalëngadalë po mësojnë se mund të shkohet edhe tek agjenci me shërbim të plotë professional, ku mund të gjejnë shpëtim nga halli që i ka zënë. Njerëzit ende nuk dinë që ka edhe shërbime të tilla dhe se sa rrezik përbëjnë insektet, të cilët janë burim sëmundjesh infektive si dizanteria, tifo, diarretë e ndyrshme apo edhe malaria, e cila mund të shkaktohet nga pickimi i mushkonjave, thotë mjeku higjenist që ndjek procese dezinfektimesh prej më shumë se tridhjetë vjetësh në Tiranë, Shaban Kamberi. Më e keqja, pa dyshim, është prania e tyre në zona ku gatuhet apo mbahen ushqime. Dhe buburrecat janë jo vetëm infektuese të ushqimeve, por edhe të neveritshme për vështrimin dhe prekjen, nëse i has nëpër ambiente ku jetojnë njerëzit. Dhe konstatimit të specialistëve iu shtohen edhe shumë të tjera mes qytetarëve:
Nuk po gjejmë derman! Bëji me çfarë të duash, prapë shfaqen! Sa herë i kam spërkatur dhe asgjë, prapë kam buburreca. E jo vetëm në marketin tim, por plot është mbushur edhe pallati ku banoj, thotë pronari i një marketi në Laprakë, kur ia zbulon vetë armiqtë e tij të vegjël nëpër raftet ushqimore. Gjithë pallati është mbushur edhe tek ne, por fqinjët nuk tregojnë se kanë turp!, thotë një tjetër.
Lëre pallati, por edhe banka ku punoj u spërkat e tëra, ngaqë ishte mbushur plot me furrtare!, ia pret fqinji i tij.
Unë i bëj spërkatje profesionale restorantit çdo vit në pranverë dhe nuk kam kurrë probleme, tregon Gjovalin Dodaj, menaxheri i Sarajet, që gjendet në një shtëpi të vjetër tiranase, kryesisht prej druri, kësisoj e rrezikuar nga furrtaret. Kemi pasur buburreca edhe në bar-kafenë tonë, por shyqyr kemi shpëtuar! Provonim shumë helme spërkatëse, por njëri na qëlloi më i miri!, thotë dikush tjetër. Një zgjidhje e mirë për ambientet e banimit do të ishte një dezinfektim dhe pagesë e përbashkët e gjithë banorëve të pallatit, sepse po pati njëri fqinj, do të transportohet edhe tek tjetri, propozon Haxhi Aliko.
Institucionet tona të shëndetit, higjienës apo pushteti lokal këto vite kanë ndërhyrë vetëm në raste epidemish nga insektet. Për çfarë mbetet nuk bëhet asgjë për tu shënuar. Insektet në Tiranë janë kthyer në një problem masiv shumë shqetësues, por që mbulohet dhe mbetet i pashpallur, shton duke dashur të mbetet anonime një inspektore e Insitutit të Shëndetit Publik.
Rreziku, parandalimi dhe shpëtimi
Duken gati të pamundur për tu zhdukur përfundimisht, por nëse i lë në duar të sigurta, ka shpresa. Njerëzit mendojnë se mund ta bëjnë vetë dezinfektimin, por kur punohet me helme nevojiten certifikatat përkatëse nga firma e licencuar për këtë shërbim dhe punëtorë të specializuar. Nuk mund të bëhet vetë, analizon Haxhi Aliko, që drejton agjencinë Alex 99. Procesi duhet ndjekur edhe nga një mjek higjienist, propozon si i tillë mjeku Shaban Kamberi.
Për të pasur suksesin e dëshiruar dhe të shpëtosh një herë e përgjithmonë nga buburrecat varet edhe se çfarë cilësie kanë insekticidet e përdorura. Gjithë bota ka insekte, por pastrohet prej tyre, se ka insekticide cilësore, të forta. Sipas dy specialistëve, edhe pse me ligj tek ne ndalohet importi i insekticideve jocilësore, në fakt këto arrijnë të futen, tenderat për dezinfektime institucionesh bëhen me vlera të ulëta financiare dhe ndodh që shpenzimet bëhen më kot, pasi nuk kanë efekt. Nuk kontrollohet se nga vijnë disalloj helmesh, a kanë kushte transportimi, përgatitjeje laboratorike dhe mirëmbajtjeje. Në rast se insektet janë përhapur shumë mund të zhduken nëse spërkaten tri herë; dy javë rresht dhe një herë e tretë pas dy javësh. Ose nëse pas spërkatjes të të gjithë ambientit, përdoret edhe një shiringë me xhel të fortë në vatrën e insekteve, që e lokalizon atë duke u lënë aty për një muaj dhe ky nuk ka efekte anësore, shton Aliko.
Në ambientet e vogla të shtëpive buburrecat mund të zhduken plotësisht, por në ambiente publike si bar-restorante, hotele, qendra tregtare etj, është e pamundur të zhduken, pasi nëpërmjet mallrave në kuti me të cilat ato furnizohen, mbarten e transferohen edhe insekte. Ndaj, zgjidhja është spërkatja periodike që i mban larg. Dezinfektimi nuk bëhet vetëm atëherë kur ka insekte, por edhe atëherë kur nuk ka, për ti parandaluar, edhe muaj për muaj.
~100lekë/m²
për të dezinfektuar një ambient.
Një ambient 50m² = 4.000 lekë + 25 euro shiringa përforcuese
Një ambient 70m² = 5.000 lekë + 25 euro shiringa përforcuese
Një ambient 100m ² = 7.000 lekë + 25 euro shiringa përforcuese
Kompanitë e mëdha, pararendëse
Deri tani më të interesuar janë treguar sidomos bizneset e mëdha se sa bizneset e vogla apo familjet.
Kompanitë e mëdha të biznesit, qendrat tregtare, bankat, ambasadat jo vetëm i luftojnë insektet, por edhe i parandalojnë ato duke i kujdesuar ambientet deri në mani me dezinfektime edhe të përmuajshme. Aeroporti Nënë Tereza, QTU, City Park, ETC, Mercator, Conad, Euromax etj. Sidomos kompanitë me administrator të huaj, por kanë filluar që të ndërgjegjësohen edhe kompanitë shqiptare.
Buburrecat & co edhe hahen!
Në Liverpul gjendet muzeu më i madh në botë i insekteve, me mbi 18.000 lloje nga gjithë planeti, ku insektet jo vetëm mund ti shohësh por edhe hash, shoqëruar me salca të ndryshme. Në forma shishqebapesh, torta kërmijsh apo pjata me buburreca. I cilësojnë edhe ushqimi i të ardhmes, meqë nuk përmbajnë kolesterol, yndyrna
