E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet për ushtarakët, 118 përfituesit e rinj

20/09/2011  Instituti i Sigurimeve Shoqërore detajon përfitimet e parakohshme dhe ato suplementare të pleqërisë

Për secilin aplikues janë caktuar edhe qendrat e pagesës ku mund të tërheqin pensionin

Pranvera Kola

Vijon më tej zgjerimi i përfitimeve të lidhura nga sigurimet shoqërore për ish-ushtarakët. Gjatë ditës së djeshme Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka detajuar emrat e rinj përfitues, të cilëve u është caktuar masa e pensionit gjatë javës që lamë pas. Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar listën me pensionet e llogaritura për 118 përfituesit e rinj, që u përkasin rretheve Shkodër, Elbasan, Fier, Tiranë e Korçë. Këta të fundit tashmë mund të paraqiten pranë qendrave të pagesës, që ndodhen pranë vendbanimeve të tyre, për të tërhequr përfitimet suplementare të pleqërisë ose ato të parakohshme, që u takojnë sipas përcaktimeve ligjore. Burimet zyrtare të sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se procesi i llogaritjes vijon, çka do të thotë se edhe gjatë javëve të ardhshme do të bëhen publike në mënyrë të vazhdueshme lidhjet e pensioneve të reja që i përkasin kësaj kategorie. Sipas përcaktimeve të bëra, pritet që nga skema e pensioneve për ish-ushtarakët të përfitojnë rreth 22 mijë aplikues në të gjithë vendin. Procesi i llogaritjes së pensionit përfundon brenda një kohe të shkurtër nga organet e sigurimeve shoqërore, sapo institucionet përgjegjëse të depozitojnë të dhënat e kërkuara për secilin aplikues. Llogaritja e përfitimit varet nga të dhënat që institucionet përgjegjëse do të depozitojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Vetëm pas marrjes së këtyre të dhënave ISSH-ja mund të përcaktojë masën e pensionit të parakohshëm që do të shkojë për secilin aplikues. Në kërkesat e dërguara ministrive sigurimet shoqërore kanë kërkuar prej tyre plotësimin e dy formularëve: një për vërtetimin e vjetërsisë së shërbimit dhe të pagës mesatare referuese dhe një për pagën referuese në muajin e lindjes të së drejtës për përfitim. Plotësimi dhe dorëzimi i këtyre të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe SHISH-i i hap udhë të menjëhershme procesit të llogaritjes së ndarjes së parave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›