E Martë, 3 Nëntor 2026

Malaj: 28 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në gjithë vendin

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë, e cila përmes mbështetjeve buxhetore po punon për përmirësimin e cilësisë së infrastrukturës arsimore në të gjithë vendin.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se investimet do të vazhdojnë për të garantuar shkolla më moderne, ambiente sportive të përshtatshme dhe laboratorë të rinj për nxënësit.

Sipas tij, nga buxheti i vitit 2025 janë alokuar 28 milionë euro për investime në infrastrukturën arsimore në të gjitha bashkitë e vendit.

“Aktualisht, janë në zbatim 90 projekte që përfshijnë ndërtimin dhe rehabilitimin e terreneve sportive, si dhe riparimin dhe ndërtimin e objekteve shkollore në nivelet e arsimit bazë, të përgjithshëm dhe profesional”, tha Malaj.

Nga këto, 9 projekte janë për ndërtimin dhe rehabilitimin e terreneve sportive, 36 për arsimin bazë, 33 në arsimin e përgjithshëm dhe 12 projekte në arsimin profesional, duke synuar modernizimin dhe përmirësimin e kushteve të mësimdhënies në të gjitha shkollat e vendit. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›