Beqja: Misioni i Ramës në krye të PS-së vazhdon
Nënsekretari socialist për Programin, Ilir Beqja, u shpreh dje se Edi Rama duhet të vazhdojë misionin e tij. Sipas tij, ky është një vendim që duhet ta marrë ai vetë. “Nuk jemi në situatën që personat janë të pazëvendësueshëm, që heqja e njërit është hata për Partinë. Misioni që Edi Rama filloi në PS, jo vetëm për të mirë të PS-së, por dhe të të gjithë të majtës dhe gjithë Shqipërisë duhet të vazhdojë, sepse nuk është përmbushur. Këtë mision ai s’duhet ta bëjë vetëm, por dhe me të tjerë në ekip. Zgjedhjen duhet ta bëjë vetë Edi Rama, duke u shprehur në radhë të parë për rezultatin e zgjedhjeve dhe në zbatim të pikave statutore të vazhdojnë proceset normale”, tha Beqja. Duke analizuar funksionimin e koalicioneve, Beqja hodhi kritika ndaj aleatëve të PS-së, të cilët sipas tij nuk mundën të sillnin më shumë vota për këtë koalicion. “Kodi Zgjedhor i jepte mundësi forcave politike të grupoheshin në koalicione ose të kandidonin më vete, në mënyrë që të kishin mundësi të bënin koalicione paszgjedhore. Partitë e vogla që ishin bashkë me PD-në i dhanë asaj mundësinë të krijonin avantazh për fitoren, sepse i kanë dhënë asaj pothuaj 2 herë më shumë se partitë e vogla të koalicionit të PS-së”, u shpreh ai.