Malaj: Kadastra Fiskale, funksionale në qershor të 2025-ës

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se Kadastra Fiskale, regjistri qendror me të dhënat e të gjitha pronave në Shqipëri, do të jetë në funksion në qershor të vitit 2025.
Në fjalën e tij, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Malaj bëri të ditur se aktualisht Financat po asistohen nga agjencia suedeze SIDA për të përfunduar Kadastrën Fiskale.
“Kadastra Fiskale do të jetë funksionale nga qershori i vitit 2025. Aktualisht Kadastra është duke u populluar me të dhënat e azhornuara nga Agjencia Shqiptare e Kadastrës. Dhe në momentin e përfundimit të azhornimit do të operohet nga njësitë e qeverisjes vendore”, tha ai.
Kadastra Fiskale është regjistri qendror i bazës së të dhënave të pasurisë së paluajtshme që shërben për hedhjen, përpunimin, korrektimin e të dhënave dhe që shërben për efekt të llogaritjes së shumës së taksës së pasurisë së paluajtshme për t’u paguar nga çdo tatimpagues.
Qëllimi i Kadastrës është konsolidimi dhe përmirësimi i cilësisë së të gjitha të dhënave ekzistuese për tokën, ndërtesat dhe pronarët, banorët si dhe llogaritjen e detyrimit tatimor vjetor që lidhet me secilën pronë. /j.p/