E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Luftë evazionit, por korrektësi dhe transparencë ndaj qytetarëve e bizneseve

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj zhvilloi sot takime me drejtuesit rajonalë të administratës tatimore dhe doganore, me fokus diskutimin e objektivave për periudhën në vijim dhe rritjen e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Takimet u zhvilluan së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve dhe drejtorin e përgjithshëm të Doganave, me fokus prioritetet e dy administratave për periudhën në vijim, luftën kundër evazionit fiskal dhe informalitetit, si dhe përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënies me tatimpaguesit dhe subjektet që ushtrojnë aktivitet ekonomik.

Ministri Malaj theksoi se forcimi i kontrollit dhe mbledhja e të ardhurave publike duhet të shoqërohen gjithmonë me korrektësi, profesionalizëm dhe respekt ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Në këtë drejtim, u nënvizua se lufta kundër evazionit dhe informalitetit nuk pengon administratën publike të jetë korrekte me ligjin, e sjellshme dhe e drejtë me qytetarët. Po ashtu, mbledhja e të ardhurave publike duhet të shoqërohet me respekt dhe transparencë ndaj çdo subjekti që kontribuon në ekonominë shqiptare.

Ministri u shpreh se BESA është kontrata politike që Kryeministri Rama dhe qeveria propozojnë qytetarëve, për të rikuperuar kapitalin e besimit përmes një shteti më të dëgjueshëm e më të matshëm.

Në përfundim të takimeve, ministri i Financave nënvizoi se shërbime më të mira, transparencë dhe korrektësi duhet të vijojnë të jenë në qendër të punës së administratës tatimore dhe doganore, si pjesë e angazhimit për një administratë më efikase, më të përgjegjshme dhe më pranë qytetarëve e tatimpaguesve.

Ministri Petrit Malaj me drejtuesë të administratës Tatimore - Foto: Ministria e Financave 1 nga 4

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›