Turizmi nxit përdorimin e POS-eve, pagesat me kartë rriten me 28% në gjashtëmujor

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Rritja e turizmit dhe fluksi i turistëve të huaj po japin një shtysë të rëndësishme në zgjerimin e pagesave elektronike në Shqipëri, duke rritur përdorimin e terminaleve POS në bizneset që ofrojnë shërbime për vizitorët.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në mesin e vitit 2026 numri i POS-eve aktive arriti në 38 662, me një rritje prej 23,7% që nga fillimi i vitit dhe 38,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Krahasuar me vitin 2020, numri i terminaleve POS është trefishuar.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 u kryen rreth 16 milionë pagesa me kartë në terminale POS, 28% më shumë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Zgjerimi i pagesave me kartë lidhet edhe me rritjen e numrit të turistëve të huaj, të cilët përdorin gjerësisht kartat bankare për pagesa në hotele, restorante, struktura akomoduese, pika tregtare dhe shërbime të tjera turistike.
Të dhënat tregojnë se pagesat në POS kanë kaluar në mënyrë të qëndrueshme tërheqjet cash në bankomate. Për çdo 100 veprime të kryera me karta pagesash, rreth 56 janë pagesa në terminale POS, ndërsa pjesa tjetër janë tërheqje ose depozitime cash.
Ndërkohë, vlera e pagesave me kartë në gjashtë muajt e parë të vitit arriti në 58,3 miliardë lekë, me rritje 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e përdorimit të POS-eve dhe pagesave elektronike po shoqëron kështu zhvillimin e turizmit në vend, duke reflektuar ndryshimin e mënyrës së pagesës nga cash drejt transaksioneve elektronike, diktuar kjo së fundi edhe nga vendosja e detyrimit ligjor për pajisjen e bizneseve me terminale POS dhe për pranimin e pagesave me kartë paralelisht atyre me para në dorë.
/e.xh/a.f/r.e/