E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Masat represive pas amnistisë, rrisin informalitetin

Eksperti në fushën e ekonomisë, deputeti socialist Arben Malaj, edhe pse nuk do të marrë pjesë sot në seancën plenare për arsye familjare, argumenton votën e tij kundër, në parim, për Amnistinë Fiskale. Sipas Malajt, qeveria, duke argumentuar se menjëherë pas amnistisë do të rriten masat represive, pikërisht kjo do të ushqejë riskun e rritur të amnistive të përhershme. “Rritja e represivitetit të qeverisë ndaj biznesit u duk në rritjen e ndjeshme të gjobave dhe penaliteteve, marrja abuzive e tyre ndaj biznesit rriti krizën e likuiditetit, vështirësoi biznesin, rriti informalitetin. Amnistia fiskalë nuk është dhe nuk duhet të trajtohet si një formulë magjike për normalizimin e ekonomisë sonë”, - shprehet Malaj për MAPO-n. Sipas tij, biznesi e njeh vesin e keq të politikanëve, që për karrige ata mund të bëjnë gjithçka, ndaj presioni për përsëritje të amnistisë fiskale do të rritet dhe mund të kthehet në fenomen të përhershëm dhe kjo, sqaron deputeti socialist, rrit riskun që shkalla e mospagimit të detyrimeve të rritet. Malaj gjykon se nuk ka asnjë emergjencë për amnistinë fiskale, ndërkohë që sipas qeverisë vendi ka rritjen më të lartë në Europë. “Vendi ka burime kredie të larta, por dhënie kredie në nivele të ulëta dhe bankat nuk japin kredi jo se nuk kanë garanci hipotekore, por sepse është rritur risku për dështim. Në kushtet kur amnistia nuk është një formulë magjike, kur nuk ka emergjencë për aplikimin e saj, atëherë rritet risku që arsyeja e vetme për këtë amnisti është keqpërdorimi i saj për biznes elektoral. Çdo argument tjetër i qeverisë është profesionalisht i pa bazuar dhe dukshëm i motivuar politikisht nga përfitimet afatshkurtra elektorale”, - thotë Malaj. Ai propozon që normalizimi i ekonomisë së vendit duhet të bazohet në një strategji kombëtare, e cila të integrojë tërësinë e politikave ekonomike e fiskale, që e bëjnë këtë proces, sipas tij, një trend të përhershëm të ekonomisë sonë. Malaj gjykon se qeveria ka disa mundësi konkrete për të vepruar menjëherë. Ai propozon që këto masa mund të jenë: ngritja e aplikimit të penaliteteve për një periudhë të caktuar kohore, ngritja e arkëtimit të gjobave deri në përfundimin e procesit gjyqësor, heqja e detyrimit për të paguar gjobat që janë në proces gjyqësor dhe zëvendësimi i tyre me garanci hipotekore, duke i lehtësuar biznesit krizën e likuiditeteve dhe, kur gjykata vendos në favor të qeverisë biznesi e paguan gjobën, penalitetet dhe interesat për periudhën e papaguar, me interesin e bonove të thesarit, pra, sipas Malajt, me koston me të cilën qeveria ka financuar ekonominë. Gjithashtu, ai propozon riskedulimin e kredive të këqija të biznesit dhe konsumatorëve dhe ngrirjen për 1-3 vjet të falimentimit, sidomos të kredimarrësve të vegjël kryesisht për shtëpi banimi dhe kredi konsumatore. Sipas Malajt, kjo kërkon bashkëpunim dhe koordinim me Bankën Qendrore. Ai gjykon se strategjia e formalizimit të ekonomisë shqiptarë duhet të bazohet tek opsioni i lehtësimit të tyre dhe jo tek amnistitë paraelektorale dhe represioni i rritur menjëherë pas tyre, me pretendimin së do të ndalet informaliteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›