E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot votimi i amnistisë,opozita në pritje të vendimi të grupit

SHKRUAN: Sabina Veizaj 21-04-2011 11:55

Deputetët socialistë brenda PS-së logjikisht janë të gatshëm të votojnë projektligjin për Amnistinë Fiskale, i cili do të mundësojë çlirimin e kapitaleve dhe aseteve të ekonomisë së vendit. Burime brenda Partisë Socialiste argumentojnë për MAPO-n votën pro në parim, me pasojat negative që do të sjellë për zgjedhjet vendore të 8 Majit, JO-ja e tyre. Sipas deputetëve socialistë, vota JO e opozitës do të ishte një bumerang për zgjedhjet që janë në prag. Megjithatë, praktikisht, ata ende nuk e kanë vendosur qëndrimin përfundimtar të tyre me ekzekutimin e votës, pasi presin mbledhjen e grupit mëngjesin e sotëm në orën 9:00. Në këtë mënyrë, deputetët socialistë janë të dyzuar mes logjikës së tyre për të votuar pro, që të shmangin pasojat negative elektorale. Por nga ana tjetër, PS-ja duhet të ruajë vijimësinë e qëndrimeve të tyre për të mos votuar ligjet me shumicë të cilësuar votash.

Deputeti socialist Ilir Beqja u shpreh për MAPO-n se sot në orën 9:00 do të mblidhet grupi parlamentar i PS-së, çka nënkuptoi se vendimi ende nuk është marrë për ta votuar ose jo projektligjin e Amnistisë së Plotë, i cili kërkon domosdoshmërish votat e opozitës. Në të njëjtën kohë, edhe deputeti tjetër i PS-së, anëtar i komisionit kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, u shpreh për MAPO-n se sot opozita do të mbajë qëndrim politik me votën e vet për Amnistinë Fiskale, që përkthehet në votën kundër për këtë projektligj. Pasi qëndrimi i opozitës për të gjitha ligjet e rëndësishme është votë kundër, duke mos paragjykuar ligjet në parim, por duke e argumentuar me mungesën e një zgjidhjeje të mundshme të ngërçit politik. Në qoftë se opozita vendos të votojë pro projektligjin për Amnistinë Fiskale, nga falja do të përfitojnë të gjitha veprat penale të bizneseve, të cilët do të kenë mundësi të rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme dhe pajisjet e makineritë, duke çliruar në të njëjtën kohë kapitalet dhe formalizuar ekonominë. Kjo do të krijojë një klimë të qetë zgjedhore dhe do të hapë rrugën për bashkëpunim politik. Në të kundërt, mazhoranca do të shtrojë në tavolinë për votim faljen e thjeshtë, e cila nuk ka nevojë domosdoshmërish për votat e opozitës. Por në këtë rast, opozita do të mbartë një kosto të lartë politike, si në afatshkurtër për zgjedhjet vendore të 8 Majit, por edhe në afatmesëm e afatgjatë, duke marrë parasysh ngërçin politik të pazgjidhur ende dhe perspektivën e integrimit europian, që kërkon si standard kryesor klimë të favorshme politike dhe bashkëpunim mes forcave politike njëkohësisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›