E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata e të pafajshmëve, dënimi me vdekje humb pikë në SHBA

Sipas anketës së “Gallup”, mbështetja e dënimit me vdekje ka rënë nga 80 % në 61%: Drejt karriges elektrike mund të çohen njerëz të pafajshëm

Washington Një anketë e re e organizatës ‘Gallup’ tregon se mbështetja për dënimin me vdekje në Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë e lartë, por është ulur në 61 për qind nga 80 për qind që ishte në vitin 1994. Një nga arsyet është se drejt karriges së ekzekutimit mund të çohen njerëz të pafajshëm. Ka pasur raste që të dënuar me vdekje janë liruar, kur provat e reja i kanë nxjerrë ata të pafajshëm. Disa ish-të dënuar që i kanë shpëtuar ekzekutimit po i tregojnë tani publikut historitë e tyre: Ron Keine ishte dënuar me vdekje për kryerjen e një vrasjeje në shtetin jugperëndimor të Nju-Meksikos. Por vetëm disa ditë përpara ekzekutimit të tij, personi që kishte kryer krimin i ishte rrëfyer një prifti. “Natyrisht, prifti i ka thënë, unë nuk mund të të shfajësoj, duhet të dorëzohesh dhe ta bësh atë që është e drejtë’. Ai kishte rënë dakord. Në atë kohë, unë isha planifikuar të ekzekutohesha pas 9 ditësh”. Pasi doli e vërteta, Keine u lirua dhe iu bashkua përpjekjeve për heqjen e dënimit me vdekje. Shteti i Nju-Meksikos tani e ka hequr dënimin me vdekje. Por Keine thotë se shumica e personave që ai ka takuar në qelitë e të dënuarve me vdekje, duhet të qëndrojnë në burg. “Këta njerëz janë vrasës të rrezikshëm dhe ata nuk duhet të lirohen. Nuk dua që ata të dalin nga burgu, por unë nuk besoj në vrasjen e njerëzve. Besoj që ata duhet të qëndrojnë në burg gjatë gjithë jetës, pa pasur të drejtë të lirohen me kusht”. Studimet tregojnë se një në tetë persona të dënuar mund të jenë të pafajshëm. Avokatët që përfaqësojnë të dënuarit me vdekje, shpesh nxjerrin në pah dëshmi nga abuzimet e kryera nga prokuroria në gjykimet fillestare. Clarence Brandley ishte i dënuar me vdekje në Teksas, derisa fitoi pafajësinë pas apelimit. “Ka prova dhe dëshmi që tregojnë se shteti i Teksasit ka ekzekutuar njerëz të pafajshëm”. Zoti Brandley thotë se shumë zezakë të varfër janë dërguar në qelitë e të dënuarve me vdekje afër Livingston-it në Teksas, sepse ata nuk kishin para për të paguar avokatët mbrojtës. Emigranti iranian, Hooma Hedayati ka organizuar këtë turne në qytetet e Teksasit me ish-të dënuarit me vdekje, të cilët më vonë janë liruar në mungesë të fakteve. Ai është me grupin e ashtuquajtur “Witness to Innocence”. “Disa studime kanë treguar se pafajësia është një nga faktorët më të rëndësishëm që përcakton vendimet e njerëzve për të mbështetur ose jo dënimin me vdekje. Ne po i japim një fytyrë pafajësie kësaj çështjeje, ku mund të shihen përvojat e njerëzve të cilët gabimisht janë dënuar”. “Një argument tjetër kundër ekzekutimit është mungesa e efektshmërisë së dënimit me vdekje”, thotë Dorothy McClellan, e cila jep mësim në Universitetin A & M të Texasit. “Dënimi me vdekje nuk e arrin qëllimin e tij. Ai kërkon hakmarrje, por nuk është i efektshëm, dhe nuk e përmbush rolin e parandaluesit të vrasjeve”. Shumë amerikanë besojnë se dënimi me vdekje i shkurajon njerëzit nga kryerja e vrasjeve, dhe të paktën është një garanci se ata nuk do të mund të vrasin përsëri. Kundërshtarët e dënimit me vdekje po përpiqen t’i kundërvihen këtij nocioni duke thënë se në disa raste, personi që ekzekutohet nuk është ai që ka kryer krimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›