E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e fondeve, shtyn në kohë prishjen e Piramidës

SHKRUAN: Fejzi Braushi 27-07-2011 12:25

Ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar vihet në dyshim. Kjo sepse Kuvendi në rolin e investitorit nuk ka mundur deri më tani të sigurojë lekët që do të duhen për të prishur në fillim “Piramidën” dhe për të ngritur në të godinën e të kompleksit të ri parlamentar, sipas projektit të studios austriake. Pas përgjigjes negative që erdhi nga Ministria e Financave, e cila në vend që të shtonte fondet në Buxhetin e Shtetit për Kuvendin i shkurtoi ato, ky institucion duket se nuk ka mundur të sigurojë hë për hë as marrjen e një kredie të zbutur nga arabët, me të cilët negocioi disa kohë më parë. Në këtë mënyrë vihet në dyshim edhe ndërtimi i këtij kompleksi brenda 28 nëntorit 2012, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Kostoja

Para dy javësh Kuvendi i Shqipërisë miratoi, jo pa kundërshtime, ligjin “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar”, sipas projektit të studios austriake. Megjithëse në të nuk flitej për një kosto të përafërt financiare, burime nga mazhoranca kanë bërë të ditur se vetë projekti ka dhe një kosto të përafërt që arrin diku tek 100 milionë euro, shumë kjo qartazi e papërballueshme nga Buxheti i Shtetit në këto momente. Në këto kushte Kuvendi i Shqipërisë, për të konkretizuar këtë nismë, hyri në bisedime me përfaqësues të Arabisë Saudite për të siguruar një kredi me terma të butë. Për Kuvendin u fol se u ngarkua që të bisedonte me arabët deputeti Sherefedin Shehu, i cili para pak kohësh konfirmoi negociatat, por pa bërë të qartë nëse kredia ishte siguruar apo jo. Por duket se bisedimet deri më tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret dhe për rrjedhojë për nisjen e zbatimit të kësaj nisme në terren nuk ka asnjë datë. Burime të mirëinformuara nga mazhoranca kanë siguruar dje se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim dhe se sigurimi i fondit të nevojshëm duket i pamundur për momentin. Megjithëse nuk bëhet e ditur arsyeja e mungesës së një rezultati konkret për këto negociata, ajo që duket e sigurt është mungesa e fondeve për nisjen e punimeve dhe më pas ndërtimin e kompleksit në mënyrë që ai të jetë gati në nëntorin e vitit të ardhshëm.

Shtyrja

Mungesa e parave ka sjellë si pasojë dhe shtyrjen e nisjes së zbatimit të projektit në terren. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se për shkak se nuk janë siguruar paratë e duhura nuk mund të nisë asnjë veprim konkret për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Pra, nuk mund të nisë së pari prishja e piramidës, pasi në rast se do të kryhej ky veprim atëherë do të ishte e domosdoshme vijimi i punimeve për ndërtimin e godinës së re të Kuvendit. Kjo për të vetmen arsye sepse, siç argumentohet, piramida nuk mund të prishet dhe të lihet më pas një gropë e madhe në mes të kryeqytetit. Ndaj është vlerësuar se prishja e saj do të nisë vetëm në momentin e sigurimit të parave për ndërtimin, menjëherë pas këtij procesi, edhe të godinës së re. Megjithatë, të njëjtat burime bëjnë të ditur se kjo situatë nuk mund të interpretohet si heqje dorë nga plani për të prishur Piramidën dhe ndërtimin e godinës së re, pasi për këtë gjë mazhoranca është e vendosur. Kjo situatë sipas tyre mund të sjellë vetëm shtyrjen e nisjes së punimeve për pak kohë deri në sigurimin e një kredie. Por pavarësisht kësaj, kjo shtyrje mund të ndikojë direkt në afatin e ndërtimit të këtij kompleksi brenda 28 nëntorit të ardhshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›