Malaj: Në fillim të shtatorit, rezultatet për maturantët

Zv/ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj ka sqaruar procedurën që do të ndjekin të gjithë maturantët pas plotësimit të formularit A2.
“Nxënësit, që kanë marrë provimet e maturës dhe kanë plotësuar formularin A2, janë gati për të pritur rezultatet përfundimtare, të cilat do të jenë javën e parë të shtatorit. Kur përfundon faza e parë, emrat e fituesve do të afishohen në gjimnazet, ku studentët kanë mbaruar maturën dhe mbi bazën e saj vendoset faza e parë e procesit të regjistrimit. Në bazë të kuotave që janë lancuar për sistemin me kohë të plotë dhe mbi bazën e saj do të bëhet vlerësimi i tyre”, informoi ajo.
Po ashtu Malaj është ndalur edhe tek maturantët, të cilët nuk kanë marrë provimet, dhe në muajin shtator do i ripërsërisin ato, e më pas do të kenë të drejtën për të vazhduar shkollën part-time. “Për maturantët e vjeshtës, që nuk kanë marrë diplomën, provimet do të fillojnë në muajin shtator. Janë 6 mijë maturantë, të cilët do të kenë të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë Part-Time”, u shpreh ajo.
Nora Malaj, në një intervistë për “Ora News”, ka komentuar dhe zërat për bashkëpunimin mes PS-së dhe LSI-së. Sipas saj, opozita duhet të rrisë standartin e saj dhe fillimisht të futet në parlament.
“Përpara se të bëhen ftesa dhe oferta, puna e parë që duhet të bëjë opozita, është të rrisë standartin e saj, të hyjë në parlament”, vijoi Malaj.
Gjithashtu ajo theksoi se fakti i rezultateve të lëvizjes së lirë, fakti që Shqipëria paraqitet me rritje vlerash, tregon se politika e marrëveshjes mes PD-së dhe LSI-së është politikë, ku plani integrues i shoqërisë shqiptare, është i përcaktuar mbi bazën e programeve konkrete.