Malaj: PS duhet të iniciojë bashkimin e së majtës
Deputeti socialist, Arben Malaj, tha gjatë një interviste televizive se është e nevojshme që e majta të bashkohet për zgjedhje. Ai tha se harmonizimi i së majtës duhet të jetë një detyrim. “Mungesa e harmonizimit brenda së majtës është një kosto shtesë në ballafaqimin politik, e para dhe e dyta më shumë se dëshirë e lidershipit duhet të jetë një detyrim. Nëse të gjitha forcat politike të së majtës, bashkuar edhe me vlerësimin që diplomacia ndërkombëtare apo faktori ndërkombëtar ka bërë për shqetësimin në rritje për keqqeverisjen e vendit, unë besoj se, nëse do të nisemi nga koncepti i përgjegjësisë për të ndryshuar keqqeverisjen e vendit, jemi shumë afër zgjidhjes dhe kompromisit, ndërsa, nëse do të mbetemi në qëndrimet statike partiake do të jetë e vështirë dhe kostot do të jenë të rënda, do të jenë kosto të një ballafaqimi politik, por dhe kosto në rritje të keqqeverisjes”, - tha Malaj.
Ai tha se PS duhet të iniciojë bashkimin e së majtës. “Besoj se PS është e orientuar në filozofinë e bashkimit të faktorit politik jo thjesht brenda së majtës. PS është forca kryesore e opozitës dhe jo vetëm që duhet të marrë në konsideratë, por duhet të iniciojë, mbështesë dhe negociojë dhe të arrijë marrëveshje me faktorin politik të së majtës dhe opinionin publik shqiptar për të bërë të mundshme e të plotë fitoren elektorale të 2009.