Hutim në PD për bashkëpunimin me Kinën
Shumë pyetje vërshuan dje në adresë të mikut të rubrikës sonë, Flamur, pas deklaratës së kryeministrit Berisha se Partia Demokratike në Shqipëri dhe Partia Komuniste në Kinë kanë bërë ndryshime historike në vendet e tyre dhe kjo është një arsye që bashkëpunimi mes tyre të forcohet.
Flamuri, i cili u gjend i papërgatitur nga kjo situatë, ndërsa po matej të hapte derën e mbyllur të selisë, pa se po e prisnin disa kryetarë seksionesh nga Tirana, të cilët nuk dinin si ta komentonin në lagje deklaratën e kryeministrit. Pasi dëgjoi kërkesën e tyre, Flamuri iu tha të prisnin disa minuta, mbylli derën nga brenda, u ngjit në zyrë dhe filloi me telefonatat.
Së pari u informua, nëse doktori e kishte thënë tamam ashtu fjalinë. Kjo kërkonte komente të menjëhershme nga partia, ndryshe do të krijoheshin keqkuptime të mëdha dhe do bëhej një histori shumë komike. Flamuri i hyri punës.
Thirri të parin Maxhun Pekën me telefon, ambasadorin tonë në Kinë, t’i shpjegonte si ishte historia e Partisë Komuniste në Kinë dhe çfarë kishte bërë ajo.
Maxhuni nisi t’i shpjegonte. - Pasi fitoi revolucionin, kryetari Mao nisi shtetëzimet, sekuestroi pasuritë e kinezëve të pasur, zhduku çdo gjurmë të familjes perandorake dhe kufizoi liritë dhe të drejtat e njeriut, si çdo vend komunist. Pastaj nisi Revolucionin Kulturor, zhduku intelektualët e shquar kinezë, krijoi njeriun e ri “Lej Fen” shpiku “dacibaot” ose fletërrufetë, siç i themi ne në shqip, shpiku aksionet vullnetare dhe kontributet për revolucionin dhe i preu kokën çdo njeriu që guxoi të bënte të kundërtën. Me kalimin e kohës, në vitet tetëdhjetë, Ten Siao Pin reformoi paksa sistemin, e orientoi drejt zhvillimit ekonomik dhe së fundi këto hapa janë theksuar. Por Kina mbetet një vend tipik komunist, pa liri fjale, pa konkurrencë politike dhe me një brutalitet në rritje ndaj etnive të tjera që jetojnë në atë vend, veçanërisht kundër Tibetit.
- E kuptova, - tha Flamuri. - Po ne si PD s’kemi asnjë arritje të tillë, pse e krahasoi doktori me ne?
- S’ka gjë, - tha Maxhuni. - PD ka bërë të kundërtën, ka rrëzuar komunizmin, i ka dhënë fund persekutimit politik dhe censurës ndaj fjalës së lirë, i ka dhënë fund dacibaove dhe nismave kolektiviste dhe në njëfarë mënyre ka bërë dhe ajo ndryshime epokale, siç ka bërë Kina.
- D.m.th., - tha Flamuri, - partia jonë dhe Partia Komuniste e Kinës duhet të bashkëpunojnë, edhe pse në historitë e vendeve të tyre kanë bërë tërësisht të kundërtën e njëra-tjetrës.
- Siç ka thënë Mao Ce Duni, - tha Maxhuni, - “po nuk u turbullua, nuk kullohet”. Tani në Shqipëri gjërat janë arritur, demokracia ka lulëzuar, tregu i lirë është në rritje e sipër, liria e fjalës është në lulëzim. Të gjitha këto lindin nevojën e një krize, të një kolapsi, me qëllim që pastaj të rregullohen gjërat. Dhe unë mendoj se doktori mund ta ketë pasur fjalën që, dhe nëse gjithçka shkon drejt komunizmit tani, PD do të dijë të kthejë sërish në udhë të mbarë procesin.
- Ma bëtë lëmsh, zoti ambasador, - i tha Flamuri. - Më mirë më sqaro disa pika që të jem i qartë. P.sh., partia jonë dhe Partia Komuniste e Kinës do bashkëpunojnë që Shqipëria të hyjë sa më shpejt në NATO?
- Jo, jo, se nuk e duan NATO-n këta, e kanë inat, por nuk besoj se na mbajnë mëri për këtë gjë. Por ndihmë, s’ka.
- OK, - tha Flamuri. - E hoqa një prioritet. Së dyti, a do të na ndihmojë ne Partia Komuniste e Kinës të marrim më shpejt ftesën për anëtarësim në Bashkim Evropian?
- Jo, jo, se këta janë kundër vendeve kapitaliste dhe sidomos fuqive të mëdha, por besoj se nuk iu ngelet qejfi që ne duam të hyjmë në BE.
- Iku dhe kjo, - tha Flamuri. - Tjetër. A do të na ndihmojë ne Partia Komuniste e Kinës për njohjen e shpejtë ndërkombëtare të Kosovës, pasi dihet që PD ka shumë simpati për Kosovën?
- Nuk besoj, - shef, - i tha ambasadori Maxhun. - Këta janë më miq me serbët. E kanë pak zët këtë punën e Kosovës, por nuk na mbajnë mëri, se dhe ne njohim një Kinë dhe jo dy Kina. Përveç Nikollë Lesit dhe Blegina Agollit, askush nuk e njeh Tajvanin.
- Iku dhe kjo. Po me SHBA çfarë mund të na ndihmojë kjo Partia Komuniste e Kinës, ambasador?
- A, shef Flamuri, as me atë s’na bëjnë dot gjë. I kanë shumë keq punët. Që atëherë, kur ata amerikanët iu bombarduan ambasadën në Beograd, i kanë marr inat.
- Po çfarë t’iu them njerëzve, ambasador? Përse do bashkëpunojmë?
- A, shef, nuk e di mirë, por thuaju që do bashkëpunojnë dy popujt. Ka qenë një këngë e vjetër shef, nga anët tona, e kena pas këndu në festival të Gjirokastrës më 1973. “Populli jonë dhe Populli i Kinës/Flasin hapur, nuk flasin shpinës”. D.m.th., janë popuj të sinqertë. Besoj dhe doktori për popujt e ka pas fjalën.
- Asgjë s’më the, ambasador. ǒt’i bëj atij burrit që të ka çuar ambasador atje, se ti duhesh shkarkuar menjëherë. Nuk ke asnjë ide se si të bashkëpunojnë dy partitë tona, siç ka thënë doktori.
- Ka vetëm një mënyrë shef për të bashkëpunuar. Ose Partinë Komuniste ta bëjmë Demokratike, d.m.th., ta bëjmë Kinën si Shqipëria, ose Partinë Demokratike ta bëjmë Komuniste, d.m.th., ta bëjmë Shqipërinë si Kina. Unë them, shef, se kjo e dyta bëhet më lehtë.
- Bëhet Maxhun, bëhet, po pastaj ti s’do ta kesh emrin Maxhun Peka, por Ma Xhun Pek.