Universitetet, të metat dhe përparësitë
Ndonëse kjo po arrihet nga faktorë të ndryshëm, më së shumti një të tillë po e bëjnë të mundur universitetet private.
Faza e tranzicionit në Kosovë e ka trembur çdonjërin prej nesh, duke na shtyrë të mendojmë alternativa shtesë për të arritur deri tek “kafshata e gojës”. E po, a ka alternativë më të mirë aktualisht në Kosovë se sa të hapësh një universitet privat!? Del se pronarët e këtyre universiteteve, prej kohësh e kishin nuhatur një gjë të tillë, prandaj edhe suksesi nuk iu mungoi! Të njëjtit (pronarët në fjalë), u treguan edhe mjaft të zgjuar, duke shfrytëzuar maksimalisht situatën e palakmueshme që përcolli arsimin kosovar, për të mos përfillur as ministrinë përkatëse për një licencim paraprak, e që me një gjë të tillë përballen tash pas 7-8 vitesh veprimtari. Kjo ka bërë që brenda kësaj periudhe kohore të hapen dhjetëra universitete private, madje është bërë trend që çdo qytet i Kosovës të ketë universitetin e tij.
Po universiteti publik çfarë është përfaqëson? Po vazhdon ta ketë primatin e interesimit të atyre që dëshirojnë të studiojnë, duke provuar fatin fillimisht në të, e që në rast dështimi për t’u pranuar, vazhdojnë rrugëtimin në njërin nga universitetet e shumta private. Kjo si rrjedhojë e besimit në vazhdimësi që kandidatët potencialë kanë për këtë institucion, duke menduar se kualiteti/cilësia vazhdon të qëndrojë tek universiteti publik, për kundër konkurrencës jo-luajale që po i kanoset nga universitetet private.
Mirëpo, a orientohen studentët për të studiuar në universitetin publik nga dëshira apo nga mospasja mundësi për të studiuar në ndonjë privat? Paj...edhe ashtu edhe kështu! Në lidhje me këtë çështje, sot qarkullojnë mendime të ndryshme, të cilat nganjëherë interpretohen si të sinqerta e nganjëherë deformohen nga krenaria e disa studentëve. Në këtë rast asgjë nuk është absolute, por duhet të jemi realistë, se sot shumë rrallë po shohim ndonjë person të pasur, që pret te zyra e profesorit për një nënshkrim (karakteristikë e universiteteve publike, procedurë kjo që nuk të lodh te privatët).
Kjo është njëra anë e medaljes, që personat me një buxhet të qëndrueshëm familjar, nuk preferojnë t’ia mësyjnë universitetit publik, mbase nga “krenaria”.
Por edhe këtu qëndron një kontrast, ku jo të gjithë ata që studiojnë nëpër universitete private, domosdoshmërisht janë të pasur. Ndoshta kjo kategori e tyre është pakicë nëpër këto universitete dosido, sakrifica e tyre materiale na bën të mendojmë se këta e kanë vërtet seriozisht.
Në gjithë këtë çështje, gjëja që më së shumti diskutohet, është kriteri.
Përderisa universitetet private bëjnë pranimin e studentëve pa asnjë kriter, duke na forcuar përshtypjen se funksionimi i tyre ka synim vetëm sasinë, universiteti publik i refuzon për pranim gati aq sa pranohen nëpër ato private. Dukuria në fjalë quhet cilësi, për të cilën gjë kemi nevojë më shumë se kurrë. Cilësia që universiteti publik i Prishtinës kultivon, nuk është e kënaqshme, madje di të jetë edhe zhgënjyese, por asnjëherë nën nivelin e universiteteve private kosovare. Kjo është ndoshta e vetmja përparësi që tani për tani posedon Universiteti i Prishtinës. Është interesante të thuhet, se universitetet private në Kosovë kanë shumë më shumë përparësi ndaj atij publik, por jo edhe përparësinë fondamentale, cilësinë.
Në përgjithësi, universitetet private shquhen për nga infrastruktura dhe puna praktike, elemente këto që ndikojnë pozitivisht te studentët e tyre, ndërsa për studentët e universitetit publik kjo është frymëzuese si ëndërr, por mjaft irrituese në realitetin e tyre.
Ndoshta gjëja e vetme që i bashkon në një pikë të përbashkët këto dy lloje universitetesh në Kosovë, është po i njëjti kolegjium i profesorëve, dukuri kjo që për Universitetin e Prishtinës konsiderohet si mjaft negative, për shkakun se të lartpërmendurit, kur duhet të zgjedhin se në cilin universitet duhet munguar sot, me dëshirë zgjedhin këtë të fundit.
Nëse duam të marrim mësim nga përvojat e vendeve perëndimore me zhvillim të lartë arsimor, t’i hedhim një sy shembullit të Gjermanisë, e cila në më shumë se në çdo gjë investon në arsimimin e kuadrove, ku vetëm 3% e fushës universitare zhvillohet nga institucionet private, të cilat monitorohen në vazhdimësi.
Në fund, të gjitha universitetet private në Kosovë, apo thënë më mirë, të gjithë ata që i thonë vetes pronarë të tyre, duhet të kuptojnë njëherë e mirë, se universiteti nuk është fermë, kuadrot nuk krijohen ashtu siç kultivohen kafshët!