Protesta e sotme, Bollano nxit njerëzit që të kërkojnë autonominë e Himarës
Në protestën që do të zhvillohet gjatë ditës së sotme në qytetin e Himarës, kreu i kësaj bashkie, Vasil Bollano, pritet që të kërkojë autonomi. Kjo bëhet e ditur nga banorë të kësaj zone, të cilët thonë se Bollano ka planifikuar prej disa ditësh që në protestën që do të zhvillojë gjatë ditës së sotme, të kërkojë autonominë e Himarës. Sipas këtyre banorëve, gjatë këtyre ditëve të fundit, në Himarë ka ardhur një numër i madh mbështetësish të Bollanos, të cilët, edhe pse janë shtetas shqiptarë, janë në favor të greqizimit të Himarës. Në fakt, protesta që do të zhvillohet nga Vasil Bollano dhe mbështetësit e tij, ka si qëllim mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, por që, sipas banorëve të Himarës, në këtë zonë vetëm minoritete nuk ka. Megjithatë, qëllimi i vërtetë i Bollanos me organizimin e kësaj proteste është acarimi i situatës, duke qenë se po ditën e sotme, në Himarë zhvillohet edhe një protestë tjetër, e cila udhëhiqet nga deputeti i LSI, Nikollaq Neranxi. Ky i fundit do të organizojë një protestë pikërisht ndaj kreut të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili me disa vendime të tij ka vjedhur një sipërfaqe të konsiderueshme toke, e cila ligjërisht iu përket banorëve të Himarës. Banorë të Himarës shprehen se Bollano ka porositur përkrahësit e tij që të krijojnë turbullira gjatë dy protestave paralele që do të zhvillohen gjatë ditës së sotme, me qëllim që më pas të krijohet përshtypja e shkeljeve të të drejtave të atyre që Bollano i quan minoritarë. Pas kësaj, bëhet e ditur se Vasil Bollano iu ka dhënë urdhër përkrahësve të tij që të hedhin parulla për shpalljen e autonomisë së Himarës. Pra, Bollano është duke përgatitur terrenin dhe më pas pritet që të shprehë edhe zyrtarisht kërkesën e tij për shpalljen e Himarës si zonë autonome. Planin e tij Bollano duket se ia ka shprehur edhe kryeministrit, Sali Berisha, në një takim sekret që ka pasur me këtë të fundit disa ditë më parë në Himarë, por edhe në një takim që ka zhvilluar me këshilltarët e Berishës në Tiranë. Veprimet e fundit të Bollanos kanë sjellë edhe një reagim te disa prej banorëve të Himarës, të cilët shprehen të irrituar me faktin që qeveria nuk po ndërhyn në këtë çështje. Madje, ata shprehen se ndjehen të pafuqishëm për të kundërvepruar ndaj veprimeve antishqiptare të Vasil Bollanos, duke qenë se ky i fundit mbështetet nga lart, pra nga qeveria, e cila duket se ka pranuar në heshtje veprimet e kreut të bashkisë së Himarës.