Malaj: Partitë të dalin nga ngërçi politik

Arben Malaj, deputet i PS
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka vijuar turin e takimeve në Tiranë, pas përfundimit të Kongresit të kësaj partie. Gjatë ditës së djeshme, ai ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët e universitetit Iliria. Në bashkëbisedimin me studentët, ai foli lidhur me arsyet përse Shqipëria mori një notë negative në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, si dhe detyra që dalin përpara klasës politike shqiptare dhe institucioneve të vendit për të përshpejtuar reformat në kuadër të integrimit europian. Partitë politike shqiptare duhet të dalin mbi pozicionet strikte partiake, të dalin nga ngërçi politik, dhe të përkushtohen për reformat e thella politike e ekonomike. Dyert e Europës së Bashkuar janë të hapura për vendet e Ballkanit. Vonesat tona për shkak të dështimeve tona nuk mund të fshihen dot. Vetëm dy vitet e fundit, kur Shqipëria ka ngelur në klasë për të fituar statusin e vendit kandidat, kanë bërë hapa përpara Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Kroacia, tha Malaj. Sipas tij Integrimi europian është rruga më e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor që të konsolidojnë paqen dhe zhvillimin në rajonin tonë. Objektivi i disa kancelarive europiane që në vitin 2014 vendet e Ballkanit në prag të 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore të bëhen vende anëtare të Europës së Bashkuar, duket i vështirë deri i pamundur.