Kërcënohet me jetë deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri. Nisin hetimet

Sajmir Tahiri, deputet i Partisë Socialiste
Prokuroria dhe Policia e Tiranës kanë nisur dje hetimet intensive pas një kallëzimi të bërë nga deputeti socialist, Sajmir Tahiri. Lajmi është bërë i ditur dje pasdite nga burime të policisë lokale, agjentë të së cilës janë ngarkuar nga prokurori i gatshëm i kryeqytetit për të hetuar rreth kërcënimit që i është bërë Tahirit. Vetë deputetit i kontaktuar mbrëmë vonë nga Gazeta nuk ka pranuar të japë detaje rreth çështjes, por ka pranuar të konfirmojë lajmin. Nuk mund të flas, por është e vërtetë që sot kam bërë një kallëzim në Prokurori- ka deklaruar deputeti socialist.
Burime pranë Policisë nuk kanë pranuar të saktësojnë nëse kërcënimi është bërë përmes telefonit, emailit, letrave apo në mënyrë verbale. Deputeti është parë të hyjë dje rreth orës 11.00 në një nga zyrat e Prokurorisë së Tiranës dhe ka qëndruar për një kohë të gjatë duke raportuar të dhëna të domosdoshme për hetimin e çështjes dhe zbulimin e autorëve. Pak orë më pas prokurorët kanë kërkuar ndihmën e policisë së kryeqytetit. Persona që merren me raportimin e çështjes theksuan se ndihma konsiston edhe në mjete teknologjike që disponon policia e Tiranës.
Dyshohet se seria e kërcënimeve ndaj deputetit ka nisur gati pesë ditë më parë dhe gjasat janë që ato të kenë lidhje me detyrën e tij si deputet i Partisë Socialiste. Intensiteti i mesazheve kërcënuese dhe teksti i tyre i ashpër ka detyruar deputetin Tahiri ti drejtohet zyrës së Prokurorisë së Tiranës.
Tahiri ka qenë shumë aktiv kohët e fundit në politikë, që nga interpelancat në Kuvend me ministrin aktual Naço dhe ish-ministrin e Energjetikës, Ruli, lidhur me koncesionet në minierat e vendit. Madje, Tahiri është paditur për shpifje nga ministri i Bujqësisë, Ruli dhe me të njëjtën akuzë nga zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Kuliçaj, pasi deputeti socialist e kishte akuzuar zyrtarin e lartë të policisë për kontrabandë me kromin.