Nano: Përjashtimi i Islamit gabim fatal, do jem në politikë në vitin 2012
Nano: “...jam, kam qenë dhe do të jem prezent në axhendën politike të vendit, jo vetëm tani, por edhe në vitin 2012, 2013 e më tej. Kjo nuk lidhet as kushtëzohet me ndonjë post të caktuar, nuk lidhet me kuorume mbështetësish apo fansash...”
TIRANË Promovimi i librit “Enver Hoxha”, i gazetarit Blendi Fevziu, ka qenë një mundësi e mirë për ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e PS-së, Fatos Nano, që të heqë një paralele me atë ç’ka po ndodh aktualisht në PS. I pyetur mbi debatin më të fundit në selinë rozë lidhur me përjashtimin ose jo të Kastriot Islamit, Fatos Nano thekson se çdo masë ndëshkimore do të ishte një gabim fatal. “Nuk jam unë personi i duhur që mund të përgjigjem për këtë. Kam besim se PS-ja nuk mund të lëshohet kaq kollaj në ethet e së kaluarës, si kjo që përshkruan edhe Blendi Fevziu në bibliografinë për Enver Hoxhën. Do të ishte një gabim fatal, por unë dua të besoj se socialistët dinë të ruajnë solidaritetin dhe mbi të gjitha vlerësimin, që mbajnë stabilitetin politik elektoral të partisë gjallë”, - tha dje Nano, i ftuar në promovimin e librit. Ish-kryeministri u pyet edhe për një tjetër fenomen që po ndodh në PS, ajo për lënien jashtë kryesisë së partisë të disa zërave kundër. “Në eksperiencën dhe filozofinë time, kjo është rruga e gabuar”, - shtoi Nano. Ndryshe nga pak ditë më parë, ku ish-lideri socialist e shfaqi hapur ambicien e tij për të garuar për postin e Presidentit, kësaj here i pranishëm në një ambient ku merrnin pjesë përfaqësues të së majtës dhe të djathtës, Nano ka shtuar se axhenda e tij politike në të ardhmen nuk lidhet me ndonjë post të caktuar. Por, në përgjigjen e tij Nano ka përcjellë qartë se do të jetë prezent në jetën politike të vendit që prej vitit që vjen. “Kam thënë që me eksperiencën politike dhe filozofinë e krijimit të konsensuseve më të mëdha kombëtare në dobi të integrimit dhe përshpejtimit të axhendës europiane të Shqipërisë, jam, kam qenë dhe do të jem prezent në axhendën politike të vendit, jo vetëm tani, por edhe në vitin 2012, 2013 e më tej. Kjo nuk lidhet, as kushtëzohet me ndonjë post të caktuar, nuk lidhet me kuorume mbështetësish apo fansash, kjo është një imperativ që e ka çuar vendin para deri sot e që duhet të konsolidohet në mënyrë që mos biem viktima të ngërçeve të reja politike”,- tha ai. Pak ditë më parë në një intervistë për “TCH”, Fatos Nano theu heshtjen dhe iu kthye sërish tezës së përfolur këtu e pesë vite më parë për të qenë pretendent për mandatin e Presidentit. Gjatë kësaj interviste, Nano shprehej se ishte i vëmendshëm nga të dy kampet për të gjetur partnerët, me qëllim që ai të zgjidhej për një mandat pesëvjeçar si President në fund të muajit korrik të vitit të ardhshëm. Komentet kane qenë të shumta. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, dhe disa eksponentë të PS-së janë shprehur se është ende herët për të folur. Ndërkohë që Servet Pëllumbi dhe Namik Dokle u pozicionuan kundër kandidaturës së tij. Në intervistën e pak ditëve më parë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se Nano nuk mund të ishte kandidaturë e mazhorancës dhe se në garë për këtë post do të futej një nga drejtuesit e PD-së.
N.P