Malaj: Rreth 1,35 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve, bonusi i bebeve mujor deri në moshën 5 vjeç

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2027”, i cili tejkalon vlerën 10 miliardë euro shpenzime publike.
Malaj tha se një nga prioritetet kryesore të qeverisë vijon të jetë mbështetja për moshën e tretë, ku pensionet zënë një vend të veçantë në prioritetet e buxhetit.
Në total, politika për pensionet për vitin 2027 është 24 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro.
Ministri theksoi se me buxhetin 2027 parashikohet indeksimi i pensioneve në prill 2027, me një fond prej rreth 1,35 miliardë lekësh. Ai shtoi se në total, indeksimin e pensioneve, plus afrimin në kohë të këtij indeksimi, i kushton buxhetit të shtetit rreth 4 miliardë lekë ose 40 milionë euro.
Gjithashtu, Malaj bëri me dije se do ketë dyfishim të vlerës së bonusit mujor për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, duke filluar nga 1 janari 2027, me një kosto totale të parashikuar prej 20 miliardë lekësh për vitin.
Në fjalën e tij, Malaj tha se buxheti i vit të ardhshëm forcon edhe politikat e mbrojtjes sociale, me fokus te fëmijët, familjet dhe kategoritë më në nevojë.
Ministri tha se parashikohet dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre.
Gjithashtu, shtoi ai, do të vijojë bonusi i bebeve, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç, ku vlera rritet progresivisht për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë.
Malaj nënvizoi se janë parashikuar rreth 1,3 miliardë lekë në vit për shërbimet sociale dhe strehimin e përballueshëm.
Me buxhetin 2027 do të vijojë kompensimi nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48.000 lekë për familjet me fëmijë nën 18 vjeç.
/r.e/