E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Shqiperia po falimenton. BERZH: 2013-ta, rënie për gjithë rajonin

tirana-nga-lartTiranë- Arben Malaj, kandidat i pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit e njëherësh anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financës jep alarmin se ekonomia shqiptare po falimenton, duke iu referuar treguesve zyrtarë të muajve të parë të vitit 2013. Përmes një deklarate shtypi Malaj thotë se referuar shifrave  të muajve Janar-Prill 2013, situata po përkeqësohet.

Mos realizimi të të ardhurave tatimore është thelluar me rreth 5.5 miliard lekë ose rreth 55 milion dollarë. Të ardhurat nga TVSH  janë 36 milion dollarë më pak, kjo vërteton se aktiviteti ekonomik  ka rënë ndjeshem, papunësia dhe varfëria janë rritur. Rritja e disa të ardhurave jo tatimore vjen nga mbledhja e parakohshme ose e sforcuar e disa detyrimeve në fillim të vitit por e thellon krizën pas zgjedhjeve.Shpenzimet për papunësinë janë ulur  me 34 milion lekë edhe pse papunësia dhe varfëria po rriten. Ndihma ekonomike që përdoret më shumë për blerje votash  është tejkaluar me 630 milion lekë, ndërsa pensionet e invaliditetit kanë muaj që vonohen, shumë të sëmurë dhe të paaftë për punë janë pa asnjë të ardhur mbijetese. Investimet publike që në thelb janë projekte të copëzuara infrastrukture tejkalohen me 37%  edhe pse të ardhurat tatimore janë me mos realizim të ndjeshëm. Deficiti buxhetorë dhe borxhi publik po rriten çdo ditë. Gjatë katër muajve të parë të vitit qeveria ka marrë borxh 70 milion dollarë ose 150% më shumë, nga 15 miliard lekë që është kufiri i parashikuar në 22 miliard. Kjo është vetëm maja e ajzbergut, pasi qeveria vazhdon të rrisi borxhet e pa paguara ndaj biznesit. Mbledhja e taksave është përkeqësuar dhe ambjenti biznesit është rënduar. Kjo ka vrarë rritjen ekonomike pa të cilën nuk  ka ulje papunësie  dhe  ulje varfërie. Situata buxhetore pas zgjedhjeve do të jetë akoma më rëndë. Asnjë institucion financiarë nuk do ti afroj mbështetje vendit tonë nëqoftëse  nuk bëhen reformat në ekonomi dhe në sistemin e taksave e shpenzimeve  që nxisin punësimin dhe rikthejnë rregullin në financat publike,-thotë Malaj.

Malaj theksin se paqartësi për domosdoshmërinë e bashkëpunimit të menjëhershëm me FMN , BB dhe BE, çdo hezitim për të bërë me vizionin e duhur, me vullnetin e duhur, me përkushtimin e duhur, dhe në kohën e duhur reformat e duhura, do të na rrezikoj të gjendemi pas zgjedhjeve në një situatë politike dhe ekonomike më të rëndë, e cila do të rëndoj më shumë akoma mbi  taksapaguesit shqiptarë dhe  grupet sociale më të prekura nga kriza.

Por Malja vlerëson se ekziston një opsion optimist. I detyrueshem por i vështirë për ta besuar në ambjentin e ngerçeve dhe krizave tona. Ky opsion kërkon të reduktojmë çdo krizë politike gjatë dhe pas zgjedhjeve. Kërkon të mos vonohet  krijimi i qeverisë së re, kërkon të jetë gati që përpara zgjedhjeve një draft i reformave  për të cilat të gjitha partitë politike janë dakort. Kërkon të ulet agresiviteti elektoral dhe të jenë më realiste  premtimet  për politika ulje taksash dhe për rritje disa herë të shpenzimeve. Pa një ambjent  më të qetë dhe bashkëpunues midis ekspertëve dhe qeverisë dhe midis forcave politike parlamentare  për disa reforma jetike, vendi rrezikohet gjithnjë e më shumë. Qeveria menjëherë pas zgjedhjeve të inventarizoj dhe publikoj se sa e thellë është kriza e financave publike, sa janë detyrimet e pa paguara ndaj biznesit për rimbursimin e TVSH, për investimet e kryera dhe të papagauara, për tatimet e mbledhura në mënyrë arbitrare, për vendimet  gjyqesore të papaguara etj. Njohja e saktë dhe pagimi pa vonesë i tyre është shenja e parë positive  për një qeverisje ndryshe dhe që do të ketë edhe impaktin e parë pozitivë ekonomik, duke i çliruar biznesit  shuma të konsiderueshme likujditetesh, me të cilët do të ulen kreditë e keqia, do të rritet investimi dhe konsumi, do të kthehet shpresa dhe optimizmi i cili është parakusht për të gjallëruar ekonominë tonë.

Malaj kërkon që maxhoranca e ardhshme duhet të jetë stabël dhe e efektshme për të ndaluar krizën.

Ta ndalim thellimin e krizës, menjëherë pas zgjedhjeve na duhet te kthejmë shpresë dhe optimizëm tek çdo shqiptarë. Formulë magjike dhe magjistar për të dalë nga kjo situatë pa disa kosto të përkohshme nuk ka, po të kishte do ti kishin implementuar në Greqi, Itali, Spanjë dhe Portugali.Përgjegjshmëri nga politika, mirëqeverisje, shpresë dhe optimizëm për të ardhmen tek çdo shqiptarë. Ky është opsioni i vetëm për të ndalur përkeqësimin dhe për të gjallëruar ekonominë. Kjo e rrit ekonominë, kjo rrit punësimin, kjo rrit të ardhurat dhe ul borxhet, duke e bërë më të lehtë dhe më të mirë të ardhmen tonë,-thotë Malaj.

Ndërkohë mbi situatën ekonomike në vend ka reaguar edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, e cila ka ulur parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë 2013-ës. BERZH-i në raportin e fundit për ekonomitë e rajonit vlerëson se rritja ekonomike do të zbresë këtë vit në 1.5 për qind nga 1.9 për qind që kishte parashikuar në tre muaj më parë.

Ekonomia shqiptare u ngadalësua ndjeshëm vitin e kaluar, kur rritja e prodhimit ra në 1.6 për qind,-thuhet në raport ku nënvizohet se kjo shifër është më e larta në rajon, me përjashtim të Kosovës.

Ngadalësimi i fortë i rritjes së prodhimit vjen në një kohë kur qeveria dhe Banka e Shqipërisë nuk kanë më hapësira për të stimuluar ekonominë, për shkak të borxhit të lartë dhe zbritjes në minimumin historik të normave të interesit,-thuhet në raport.

Sipas BERZH-it sistemi bankar në vendin tonë po përballet me një nivel të lartë të kredive të këqija dhe mbetet i ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme kundrejt ekonomisë.

Por raporti thotë se e gjithë Eropës Juglindore po përballet me vështirësi të thella ekonomike për shkak të krizës së Eurozonës, duke apeluar për reforma të gjëra për frenimin e krizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›