E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Të përkrahim Nanon, presidenti, test për LSI-në

TIRANE- Anëtari i kryesisë së PS-së, deputeti Arben Malaj deklaroi se PS duhet të jetë e hapur edhe ndaj aleancave të reja me parti të qendrës së djathtë. Gjatë një interviste në emisionin “Studio 24”, në Nees 24, Malaj u shpreh se PS duhet të mbështesë zotin Nano zyrtarisht si kandidat për President, ndërsa vlerësoi se zgjedhja e kreut të ri të shtetit është një test për LSI-në.
Ju jeni anëtar i kryesisë dhe në opinion ka një lloj skepticizmi në lidhje me qëndrimin që po mban PS në lidhje me procesin. S’kemi një emër nga PS. Çfarë strategjie ka PS?
Patjetër që PS-ja ka një strategji. Strategjia kryesore është si të përmirësohet qeverisja e vendit, e dyta si të mos vonohet procesi i integrimit, sepse rrezikohemi për herë të tretë të marrim statusin e vendit kandidat. Sigurisht që strategjia e PS-së duhet të jetë në funksion të vendit. Edhe 4 pikat është një element i përgjegjësisë së PS për të arritur konsensus në pikat në të cilat vendi ka ngelur.
Ju do të ishit dakord që Presidenti të zgjidhej edhe me 71 vota dhe pastaj t’i jepej mbështetje?
Ideja ime është që, ne duhet të kalojmë testin për të zgjedhur një president konsensual. Kjo e bën klasën politike më të përgjegjshme. Probleme do të ketë pastaj nëse Presidenti do të gëzojë të njëjtën mbështetje pasi të zgjidhet. Unë theksoj që nga pikëpamja kushtetuese nëse ne nuk arrijmë ta zgjedhim Presidentin konsensual, por ai zgjidhet me 71 vota në Parlament, ai ka të njëjtën fuqi kushtetuese për të qenë President i Republikës. Kështu që, nëse duam të bëjmë diçka të mirë dhe të tregojmë se kemi vullnet për ta nxjerrë vendin nga ngërçet politike është momenti i presidentit konsensual.
Ju mendoni se duhet një kandidat me profil politik, apo jo?
Unë besoj se negociatat janë në vazhdim. Sigurisht që kandidaturat potenciale që dalin është mirë që të trajtohen me respektin që meritojnë. Sa më pak agresivitet të jetë ndaj kandidaturave alternative, aq më i mundshëm do të jetë procesi i përzgjedhjes dhe pastaj do të jetë profili politik i atij që do të përzgjidhet. Por mendimi im personal është që, vendit i duhet një njeri me një përvojë konkrete dhe nga klasa politike. Pastaj ka personalitete të PS-së, të PD-së, të partive të tjera, por momenti i parë që të qeverisësh një vend sigurisht është që të kesh një eksperiencë sa më të gjatë, madje edhe të provuar në qeverisjen e vendit tënd si president i tij.
Ka pasur takime mes zotit Rama e zotit Idrizi. Çfarë mund të negociojnë ata?
Unë kam qenë gjithmonë mbështetës që në Shqipëri është mirë që t’i japim fund teatrit politik, ku duket se liderët politikë nuk takohen me njëri-tjetrin, nuk komunikojnë, ku duket sikur opinioni publik parapëlqen më shumë agresivitetin se sa bashkëpunimin. Çfarë mund të diskutojnë Rama me Idrizin? Përderisa jemi në një proces negociatash dhe janë edhe dy votime me shumicë të cilësuar dhe përderisa kemi edhe një këshillim dashamirës nga institucionet ndërkombëtare që një president i zgjedhur në mënyrë konsensuale i jep më shumë kredibilitet vendit dhe klasës politike për sfidat që ne kemi. Sigurisht që duhet bërë maksimumi qoftë në raundin e dytë, qoftë në raundin e tretë, për të tentuar në mënyrë maksimale duke dalë edhe mbi vetveten për të arritur një president konsensual. Takimet janë të parapëlqyeshme, midis opozitës e mazhorancës, në mënyrë të drejtpërdrejtë midis krerëve të partive të tyre, por pse jo, edhe një tavolinë e rrumbullakët ku marrin pjesë të gjitha partitë parlamentare që kanë fuqi votuese.
A mund ta tejkalonte veten zoti Rama për të pranuar kandidaturën e zotit Nano?
Që në fillim është theksuar se zoti Nano nuk ishte se po kërkonte firma. Bëri diçka shumë transparente, më qytetare, më të dobishme në politikë, ka shprehur një ambicie bazuar në kontributet e tij politike dhe takoi të gjithë liderët politikë. Sigurisht që është një moment që po diskutohet akoma. PS ka kërkuar të ketë takime të drejtpërdrejta me mazhorancën. Duhet patjetër që takimi të bëhet dhe palët të flasin. Në momentin që të diskutohet pastaj për kandidatët potencialë, unë mendoj që PS-ja, - sigurisht që ky është mendimi im dhe jo thjesht vlerësim personal për zotin Nano, - bazuar në kontributet e tij në politikën shqiptare, pas momentit të negociatave të para, patjetër do të ishte mirë t’i jepte mbështetje zyrtare kandidaturës së zotit Nano.
Cili është roli i Ilir Metës në këtë proces?
Sigurisht që është pjesë e mazhorancës. Roli i tij i vërtetë do duket në votimin me 71 vota. Meta ka deklaruar që nuk do të votojë një përfaqësues të lartë të PD-së, kushti i parë, dhe e dyta, ka deklaruar që nuk do të votojë një kandidat, i cili nuk merr vota më shumë se mazhoranca aktuale. Nëse u përmbahet këtyre dy kushteve, unë besoj se mund ta lehtësojë një konsensus mes mazhorancës dhe opozitës. Nëse s’do t’i përmbahet këtij kushti do të thotë se në zgjedhjen me shumicë të thjeshtë vota e Metës është përcaktuese për kandidatin që do të zgjidhet në raundin e katërt e të pestë.
Nëse LSI do ta zgjedhë Presidentin në raundin e katërt me PD-në, ky është testi kryesor për LSI-në për një bashkëpunim në të ardhmen?
Unë besoj se s’mund të ketë një test, pas një periudhe midis PS-së dhe LSI-së. Por patjetër që zgjedhja e Presidentit është një test politik dhe qëndrimet e PS-së dhe LSI përafrohen; sigurisht që testi vlerëson bashkëpunimet e ardhshme.
Duket se PS po afrohet me LSI, por sikur po largohet me aleatët tradicionalë...
Unë besoj te çdo afrim me LSI-në për aq sa do të jetë i mundur, në fund të fundit. Detyrimi i PS-së është që t’i ofrojë Shqipërisë një qeverisje ndryshe dhe nuk duhet të nënvlerësojë në asnjë rast dy detyrime të mëdha, e para një organizim sa më efikas të PS-së, e cila e ndihmon të rritet vetë, të bëhet më e madhe në produktin elektoral, e dyta një aleancë më të plotë, më të qartë me aleatët tradicionalë të saj dhe pastaj e hapur për një aleancë fillimisht me LSI-në, dhe, nëse sfidat e vendit nuk krijojnë shumicat për reformat e domosdoshme, pse jo edhe e hapur për partitë e qendrës së djathtë.
Me FRD-në për shembull?
Kur them pse jo, patjetër ato janë në fazën e konturimit. Duhet të shikojmë programet e tyre politike, elektorale dhe unë besoj se duke parë edhe kolegët që janë në bërthamën themeluese të kësaj partie, kontributet e tyre publike dhe parlamentare, potencialisht mbeten aleatë të mirë edhe për një aleancë të zgjeruar.
Po Aleanca Kuq e Zi?
Jemi në të njëjtën fazë. Janë në momentet e qartësimit të programit. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›