E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Vlerësimi i Moody’s tregon se jemi në rrugën e duhur, tre vite me rritje ekonomike të qëndrueshme

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s ka përmirësuar perspektivën për Shqipërinë, duke e kaluar atë nga “e qëndrueshme” në “pozitive”.

Ministri i Financave, Petrit Malaj e cilësoi këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për ekonominë shqiptare.

Sipas Malajt, përmirësimi i perspektivës lidhet me ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit, rritjen e të ardhurave dhe uljen e borxhit publik.

“Me fjalë më të thjeshta, një nga agjencitë më të rëndësishme ndërkombëtare po thotë se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur. Dhe kjo nuk vjen rastësisht.  Prej më shumë se tre vitesh, Shqipëria po regjistron një rritje ekonomike të qëndrueshme, rritje të të ardhurave dhe ulje të borxhit publik”, theksoi ai.

Malaj theksoi gjithashtu se politikat fiskale dhe reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian kanë kontribuar në forcimin e besueshmërisë së vendit në arenën ndërkombëtare.

“Kemi shpenzuar me përgjegjësi dhe kemi dëshmuar një disiplinë fiskale përgjatë gjithë periudhës”, tha kreu i Financave.

Ministri shtoi se “reformat që jemi duke ndërmarrë në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian po japin rezultatet e para dhe këto rezultate po shihen ndërkombëtarisht”.

“Pra, mesazhi i Moody’s është i thjeshtë. Shqipëria po bëhet një vend më i qëndrueshëm, më i besueshëm dhe më tërheqës për investitorët e huaj”, tha ai.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›