E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Votimet për FRESSH jo me ndërhyrje

Një ditë më parë, kryetarja e FRESSH, Elisa Spiropali, braktisi mbledhjen e Asamblesë së këtij Forumi, duke pretenduar se lista e votuesve ishte manipuluar nga sekretari për Rininë, Erion Veliaj.

“Të rinjtë duhen motivuar, inspiruar dhe mbështetur për një karrierë sa më të suksesshme dhe të merituar. Konkurrimet e tyre në nivel Komune, Bashkie, Rrethi, Qarku dhe nivel kombëtare nuk duhet të deformohen nga preferencat individuale të askujt. Kandidatët për mandate drejtuese në çdo nivel duhet të votohen në një gare serioze dhe sipas rregullave dhe proceseve transparente dhe të monitorueshëm”, shkruan Malaj.

Ai kërkon që numërimi i votave duhet të bëhet nga përfaqësuesit e të rinjve dhe jo nga komisione me të preferuar individual jashtë strukturave të të rinjve. “Të rinjtë në proces konkurrimi duhet të kenë të drejtën të lexojnë dhe verifikojnë votat mbështetëse. Postet drejtuese të stafeve rinore pas zgjedhjes së kryetarit në çdo nivel deri tek kryetari i Asamblesë Kombëtare të Forumit Rinorë duhet të përzgjidhen me gare dhe jo me emërime të parapërcaktuara”, thotë Malaj në faqen e tij të Facebook-ut.

Sipas tij, modeli i konkurrimit dhe garave përzgjedhëse dhe sistemi i karrierës që u afrohet të rinjve do të përcaktojë sjelljen dhe kulturën e tyre politike për një kohë të gjatë dhe do të ndikojë në të ardhmen për qeverisjen e vendit. “E kam mbështetur procesin e konkurrimit me disa kandidatë dhe përball të rinjve në çdo rreth të vendit, ndaj mendoj se ky proces nuk duhet cenuar dhe deformuar në fazat e tij të fundit. Te rinjtë duhet të jenë më kërkues ndaj vetvetes dhe përball të tjerëve në angazhimin e tyre për të kontribuar dhe për të merituar nje karrierë në rritje.  FRESSH duhet te rilind meritokracinë, përkushtimin, duke ndaluar që në embrion tendencat e riorganizimeve të imponuara jashtë sistemit të vlerave dhe konkurrimit”, përfundon. /Start/

                                                                                             2012-06-22 12:51
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›