E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj-studentëve: Bëhuni pjesë e ndryshimit cilësor, votoni

TIRANE- Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Vlorës, Arben Malaj zhvilloi sot një takim në Qytetin Studenti në Tiranë me studentë vlonjatë, sarandiotë dhe delvinjotë që studiojnë në Tiranë.

Mesazhi kryesor që Malaj përcolli në këtë takim ishte se pjesëmarrja e te rinjve masivisht në votime është mënyra më e mirë për të shprehur qëndrimin e tyre mbi domosdoshmërinë që vendi ka për ndryshim.

“Të rinjtë duhet të kontribuojë për rritjen e pjesëmarrjes në votime. Ata e kanë shprehur zhgënjimin e tyre deri më sot nëpërmjet mospjesëmarrjes. Ju ftoj që së bashku të bëhemi pjesë e një ndryshimi cilësor për të ardhmen e vendit”, tha Malaj.

Gjithashtu, Malaj ndau me të rinjtë rëndësinë thelbësore që ka një zhvillimi i një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm, në përputhje me standardet ndërkombëtare, për t'u përcjellë shqiptarëve shpresën dhe besimin se vullneti i tyre, dhe vetem ai, duhet të jetë përcaktues për të ardhmen e vendit. 

“Vendi ka nevojë për një rrotacion politik, i cili vjen vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, theksoi Malaj. Ndërkohë, qeveria e ardhshme do të ketë përgjegjesinë për rritjen e ekonomisë dhe përballjen me sfidën e nivelit të lartë të papunësisë që ka mbërthyer vendin. Modeli i ri i politikëbërjes që ne propozojmë është një burim shprese dhe frymëzimi që të rinjtë të bëhen pjesë e sfidave me të cilat përballet vendi i tyre".

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›