E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Zgjedhjet jo luftë gjelash, vendosni se në çfarë Shqipërie doni të jetoni

GRAMSH- Partia Socialiste e ka zhvendosur në Gramsh mitingun e saj elektoral. Në fjalën e tij kryesocialisti Rama kërkoi votën e gramshjotëve për t’i dhënë fund regjimit që mban peng dhe varfëron vendin, sic tha ai.

“Këtu në këtë shesh nuk ju ka sjellë frika por dëshira për rilindje. Mirënjohje për këtë pritje të këtij populli të mrekullueshëm, që është gënjyer aq herë sa herë është folur për të, nga kjo qeveri dhe ky kryeministër, ky gjysh me antiplumb që tregon përralla kudo shkon dhe këtu sa herë vjen tregon përrallën e hidrocentralit që nuk filloi dot kurrë. Si nuk iu ra 1 km rrugë këtu juve në Gramsh nga ato 10 mijë që ka ndërtuar kryeministri? Nuk ju ra se ato janë shirita për inaugurime, jo rrugë. Sot kemi shkuar në të 4 anët e qarkut, ju them me sinqeritetin më të madh se nuk e kemi pasur fatin të kalojmë në një km rrugë të rindërtuar, kudo rrënim e gropa kemi parë”, tha Rama.

Duke iu referuar mitingut që pritet të ketë nesër në këtë qytet kryeministri Berisha, Rama nënvizoi faktin që në shesh do dalin nxënës, mësues, infermierë e mjekë, që sipas tij, do tërhiqen zvarrë. Kjo situatë sipas Ramës, do marrë fund më 23 qershor.

“Ja pse nesër shkollat e Gramshit do mbyllen, sepse nesër të gjithë mësues e nxënës, do përgjigjen, do vijnë nesër për ta mbushur këtë shesh me fëmijë të kapur rob, mësues e infermierë të kapur rob nga një pushtet që i kërcënon me bukën e gojës pasi ju merr paratë për t’i dhënë një vend pune, i merr zvarrë për të mbushur sheshet. Unë ju premtoj që kurrë më këto sheshe nuk do mbushen nga frika e pushtetit, nuk do ketë mësues, e mësuese, infermierë që do detyrohen në lënë karrigen dhe të shkojnë të brohorasin për qeverinë në mitingje dhe koncerte. Populli më 23 qershor do vendosë fundin e pushtetit të frikës, rrënimit dhe dëshpërimit”, tha ai.

Rama akuzoi më tej kryeministrin dhe qeverinë e tij se po organizon fluturime falas me qëllim që studentët në Itali të vijnë këtu e të japin vota të diktuara. Më tej kryesocialisti u shpreh se më 23 qershor cdo shqiptar ka mundësinë të zgjedhë se në çfarë Shqipërie do të jetojë.

“Ne nuk kemi asnjë dyshim se kë kemi përballë, por ne e dimë dhe duam ta dinë të gjithë shqiptarët se zgjedhjet e 23 qershorit nuk janë një luftë gjelash ku njerëzit vënë baste, as zgjedhje ku njeri humbe tjetri fiton, por janë zgjedhje për të vendosur se në çfarë Shqipërie do jetojmë. Për të vendosur nëse e duan pushtetin në qafë, apo një qeveri në krahun e tyre. Nëse populli do vazhdojë të rropatet për të mbajtur në kurriz një grup njerëzish që u bënë miliarderë duke grabitur paratë e popullit, apo një qeveri që garanton se hallet tuaja do jenë hallet tona, për të dalë nga varfëria, për të mundur krimin, për t’i dhënë çdo shqiptari mundësinë për të jetuar me punën e tij të ndershme”, tha Rama më tej.

Rama më tej premtoi se më 23 qershor do flakë taksën e sheshtë, të cilën siç tha ai, Berisha ua prezanton shqiptarëve si të jetë taksa e dërguar nga zoti.
“Berisha është i shqetësuar nga programi ynë, nga ulja e taksave për 95% të shqiptarëve, ju thotë se do mbyteni nga miell i Ukrainës dhe mishi i Brazilit, iu paraqitet si i dërguari i zotit, që me atë taksën e sheshtë ushtroka vullnetin e perëndisë, atë taksë që iu vuri në qafë gjithë dyqaneve dhe ushqimore. Qytetari i zakonshëm paguan më shumë taksa se kryeministri dhe kjo qenka taksa e zotit dhe zoti na paska lënë Saliun si të dërguarin e tij. Më 23 qershor do ta flakim nga qafa e popullit taksën e sheshtë do vendosim taksim të ndershëm”, tha Rama.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Rama: Shkop magjik nuk kemi, por ja dy rrugët për punësimin Rama: Gjyshi me antiplumb premton çertifikata pronësie, çfarë bëri 8 vjet? Rama: PD premton punë nëse i jep para e vota. Ja dëshmia e vajzës në Labinot Fushë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›