E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj tërhiqet nga gara për kryetar partie

Disa orë pasi prezantoi platformën e tij dhe kërkoi votat për kryetar, Malaj vendosi të largohet. "Rama na trajtoi si armiq"


TIRANË- Arben Malaj tërhiqet nga gara për kryetar të Partisë Socialiste. Pasi ka lexuar platformën e tij në kongres, si dhe u ka kërkuar votën socialistëve për t'i udhëhequr drejt fitores, Malaj ka ndryshuar mendje. I kontaktuar nga "Shekulli", Malaj pohoi se arsyeja e dorëheqjes së tij është fjala e kryetarit Edi Rama, i cili e ka trajtuar si armik dhe shkaktar për humbjen e zgjedhjeve.


Dorëheqja


"U ndjemë shumë keq nga mënyra se si u trajtuam në Kongresin e Partisë Socialiste. Fjala e Ramës më ka bërë të ndryshoj mendje në lidhje me kandidimin. Ai falënderoi shumë nga anëtarët e kryesisë, por ne na konsideroi si armiq.


Unë, Blushi, Islami e të tjerë u ndjemë keq nga ky fakt",- tha dje Arben Malaj. Ai pohoi se gjithçka që kishte kërkuar ishte një garë miqësore mes kolegëve të një partie dhe jo një garë armiqësore.


"Rama fajësoi Berishën për zgjedhjet, por pas tij, na fajësoi edhe ne. Ai nuk mori asnjë përgjegjësi të tijën për humbjen, por të gjithë fajin na e vuri ne. Nuk ishte nevoja që të krijohej një skenë e tillë",- tha dje Arben Malaj.


Sipas tij, ditën e hënë do të ketë një komunikim më të gjatë me mediat për të paraqitur të gjitha shkaqet që e detyruan që të tërhiqet nga kandidimi për kryetar të partisë. Në konferencë pritet që të marrin pjesë Blushi e Islami, si dhe disa anëtarë të tjerë të PS-së.


Platforma


Disa orë përpara se të vendoste për dorëheqjen nga gara, Arben Malaj prezantoi platformën e tij përpara delegatëve të kongresit, duke u fokusuar kryesisht në aspektin ekonomik, bashkimin e të majtës dhe mënyrën se si do të sillte socialistët në pushtet. "Sot kam privilegjin dhe përgjegjësinë t'ju paraqes vizionin për modelin e ri të drejtimit dhe funksionimit të Partisë Socialiste, për t'u shndërruar sa më shpejt në forcën që do të qeverisë Shqipërinë. Nuk jam në këtë konkurrim për të mohuar kontributin e askujt, jam në këtë garë për të ofruar një model të ri dhe për të krijuar një shpresë të re për të gjithë socialistët.


Pavarësisht rezultatit të deformuar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, bindja ime e patundur është se shqiptarët nuk meritojnë të qeverisen nga Sali Berisha",- tha Malaj në fillim të fjalës së tij. Ai përmendi një sërë arritjesh që ka shënuar Shqipëria nën drejtimin e Partisë Socialiste, si dhe e cilësoi partinë ku merr pjesë si alternativën e vetme për të qeverisur vendin.


Ndërkohë, në lidhje me drejtimin e ri të partisë, Malaj tha: "Ne kemi nevoje për më shumë hapësira lirie dhe përgjegjësi te anëtarësisë dhe forumeve të partisë. Ne duhet të garantojmë një demokraci më të drejtpërdrejtë të anëtarësisë sonë, më shume se të të zgjedhurve tanë.


Duhet t'i japim fund praktikes së emërimit të përfaqësuesve të Partisë Socialiste në pushtetin qendror dhe atë vendor dhe të rithemelojmë institucionin e zgjedhjeve paraprake sa më të drejtpërdrejta në këto nivele".


Malaj theksoi se PS duhet ta mbajë derën hapur për çdo parti të spektrit të majtë dhe nëse do bëhet ai kryetari i partisë, do të zgjasë dorën e bashkëpunimit si me LSI-në, ashtu edhe me parti tjetër të majtë.


"Të nderuar miq, koha nuk pret. Pa hequr dorë për asnjë çast nga objektivi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Partia Socialiste do të nisë menjëherë përgatitjet për të fituar zgjedhjet vendore që janë jo larg. Le t'i përqendrojmë energjitë tona në sfidat e së ardhmes dhe jo në reliket e së shkuarës.


Socialistet shqiptarë të shekullit 21, nuk zhvillojnë gara denigruese, por gara vizionesh, programesh dhe ekipesh moderne për Shqipërinë moderne. Unë dëshiroj të bëhem kryetari i partisë sonë jo thjesht se ajo është pa kryetar, por se dëshiroj ta udhëheq Partinë Socialiste nga stacionet e opozitës, ku mbetëm dy herë radhazi, në terminalin e fitores.


Do jem i pari midis të barabartëve, një socialist si ju, i dalë nga ju, i rritur mes jush dhe juaji. Unë, kandidoj jo për t'u bërë një lider i përjetshëm, por për të udhëhequr socialistet dhe progresistët shqiptarë drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme dhe sfidat politike imediate",- tha Malaj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›