E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domosdoshmëria e platformës "Rama" (2)

Përtej së majtës dhe të djathtës synon reflektimin dhe pajtimin e diferencave të kombit. Deri më sot politika ka bërë të kundërtën, duke deformuar, amplifikuar dhe vënë flakën konflikteve. Kjo ka krijuar antagonizëm për shumë votues të qendrës, të cilët nuk e shikojnë mjedisin si një jo-kompromis absolut.


Polarizimi është një armë e fuqishme për të ndarë e "pushtuar" shtresat e popullsisë. Një nga mënyrat më fundamentale në krijimin e polarizimit politik është e majta kundër të djathtës.


Këto dy terma janë krijuar më shumë për të organizuar forcat për betejë sesa për një mirëkuptim më të madh njerëzor.


Nëse dëshirojmë të minimizojmë polarizimin, është e rëndësishme të ndajmë njerëzit - ne dhe të tjerët - nga ideologjitë apo pozicionet ku të gjithë jemi ngjitur duke ardhur së bashku si bashkëqytetarë, për të kuptuar të vërtetën relative dhe domosdoshmërinë e ideve dhe opsioneve të ndryshme.


Por, që të bëjmë këtë ne duhet ta konsiderojmë veten tonë qytetarë në radhë të parë e pastaj partizanë të politikës.


Në varësi të aftësisë sonë për të liruar vetveten nga burgjet e polarizimit të së majtës e të së djathtës, do të varet edhe shkalla e produktivitetit krijues në menaxhimin e proceseve politike, si dhe shfrytëzimi i forcës së unikalitetit dhe krijimtarisë së përbashkët.


Për këtë arsye, lëvizja përtej së majtës e të djathtës synon rritjen e inteligjencës kolektive në proceset politike, ku objektivi kryesor nuk është heshtja e partizanëve të polarizimit.


Objektivi kryesor është krijimi i forumeve serioze, ku qytetarët mund të dëgjojnë përfaqësues të artikuluar të opinioneve e perspektivave të ndryshme që synojnë në kuptimin e formulimin e politikave që i shërbejnë të gjithë shoqërisë. Polarizimi i angazhon njerëzit fanatikisht në histori të amplifikuara dhe nuk i lë të dëgjojnë njëri-tjetrin e prezantojnë qëndrimet e ndryshme.


Në këtë sens, obligimi nuk qëndron në shuarjen e mosmarrëveshjeve apo konflikteve, por në pajisjen e shoqërisë me mjetet e nevojshme për kultivimin e mençurisë dhe forcës për t'i shërbyer jetës nga të gjitha format e diversitetit, edhe nga ato më ekstremet.


Realiteti shqiptar nuk afron homogjenitet në kompozimet e majtë - e djathtë. E djathta e vërtetë është e paorganizuar dhe e paprezantuar në institucionet politike apo administrative të shtetit.


Ajo që vetëquhet sot e djathtë në Shqipëri, u krijua kryesisht me kontigjente të së majtës - fizike, politike dhe ideologjike. Përfaqësuesit e vërtetë të së djathtës u larguan duke mos e gjetur veten në atë përfaqësim.


Prandaj, diferencat midis këtyre dy grupimeve janë fare të zbehta krahasuar me ngjashmëritë dhe interesat e përbashkëta. Shumë socialistë nuk janë më pak racionalë apo më shumë njerëzorë se sa demokrati mesatar.


Në të dy krahët ka njerëz ksenofobë dhe sensitivë të tejskajshëm. Propozimi për dhënien e qytetarisë homoseksualizmit erdhi nga e djathta. Politikanë të pasur ka si nga e djathta ashtu dhe nga e majta.


Por polarizimi fillon pikërisht atëherë kur ne humbasim vështrimin në faktet e mësipërme e dhjetëra të tilla dhe besojmë se dy grupimet janë homogjene që e përjashtojnë njëri-tjetrin. Por e majta dhe e djathta kanë patur tendencën e krijimit të palëve kundërshtuese, bazuar në parimin arrogant që qëllimi justifikon mjetin.


Në këtë polarizim strategjik, e djathta dhe e majta janë përpjekur të marrin autorësinë e vlerave origjinale. Por, shumë shqiptarë shohin përtej spektrit politik dhe ata kërkojnë rregullin e lirinë, të drejtat individuale e drejtësi shoqërore, politika që janë racionale, ekonomi të tregut dhe një mjedis të shëndetshëm, familje e shoqëri solide e sukses individual.


Lëvizja përtej së majtës e të djathtës synon aftësimin për të parë nuancat e realitetit kompleks që pengojnë seriozisht aftësinë tonë për t'u përballur me sfidat e kohës e në të njëjtën kohë degradon humanitetin tonë.


Ajo e konsideron shoqërinë civile si forca më e aftë që mund t'i kundërvihet anës më të shëmtuar - urrejtjes dhe mendimit të ngushtë - e cila në kushte të caktuara dhe me liderë partiakë të gabuar prodhon atë tension vulgar politik që ne kemi vite që përjetojmë në demokracinë shqiptare.


Edhe pse sistemi mazhoritar në një shoqëri demokratike është një shkëputje gjigante nga sistemi i diktaturës, edhe pse është një nga principet themelore të demokracisë, përsëri mbetet frymëzues i polarizimit. Në momente të caktuara ai kthehet në një rrezik i shtypjes së pakicës nga shumica.


Për më tepër, kjo është evidente në Shqipëri, ku zgjedhjet e fundit nuk përcaktuan mazhorancë të vërtetë, por ajo po krijohet fiktivisht e mbi bazën e kalkulimeve spekuluese e pragmatizmit të paprinciptë të individëve të etur për pushtet e përfitime të padrejta. Solidariteti partiak ul ndjeshëm kuptimin e ndërsjellë, gjë e cila bën të mundur steriotipizimin e kundërshtarit.

Një nga ironitë e demokracisë është që qytetarët që shohin të dy anët e një problemi apo fenomeni, ka më pak shanse të votojnë dhe bëhen aktivë politikisht sesa njerëzit që janë të inatosur, partizanë dhe jo mirëdashës ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Realisht, kultura jonë politike prej kundërshtarësh është duke shkuar ritmikisht drejt një gjendjeje kaotike e mosfunksionuese.


Një sistem me këto nivele kaosi dhe mosfunksionaliteti bëhet në momente të caktuara mjaft i rrezikshëm për shoqërinë, siç ndodhi në '97-tën. Eksperienca e post-komunizmit në Shqipëri tregon se e djathta dhe e majta kanë tingëlluar më shumë si dispozicione personale sesa kampe ideologjike.


Kjo për faktin e thjeshtë se baza ideologjike e liderëve që kanë udhëhequr këto kampe ka qenë praktikisht e njëjtë dhe pa dallime esenciale. Në retorikën e politikës moderne, ata që e vendosin veten në kampin e majtë, tipikisht mbështesin interesat e shtresave të mesme dhe të varfra të popullsisë dhe akuzojnë kampin tjetër për mbështetjen e shtresave të pasura.


Ata në krahun e djathtë mbështesin individualizmin, ndërsa akuzojnë të majtët për mbështetjen që i japin kolektivizmit. Në përgjithësi, është vështirë të gjesh në historinë e dy partive të mëdha dallime esenciale në lidhje me qëndrimet politike, ekonomike dhe sociale. Më shumë në Shqipëri dallimi është një çështje e kontigjentit historik dhe politikës lokale se sa një prononcimi koherent të parimeve.


Pas Luftës së Dytë Botërore, me qëllim për të mbetur aktiv në politikë, shumica e së Djathtës Europiane përqafoi shumë aspekte të ndërhyrjes së qeverisë në ekonomi, ndërsa shumë nga e majta u pajtua me privatizimin dhe antikomunizmin e kohës së Reagan-Thatcher.


Duke qenë se Shqipëria nuk njohu për gjysmë shekulli një sistem pluralist, partitë politike të krijuara në periudhën e post-komunizmit nuk trashëguan asnjë bazë teorike e qëndrim konstruktiv në lidhje me atë çka karakterizon të majtën dhe të djathtën në botë.


Programet e partive më të mëdha në Shqipëri kanë apeluar në elektoratet e tyre kryesisht bazuar në kontradiktat dhe armiqësitë e vjetra, të krijuara më së shumti në kohën e sundimit të komunizmit, por pa arritur në asnjë moment të përvijojnë vija demarkacioni në lidhje me probleme themelore, si raportet midis ndërhyrjes së qeverisë në ekonomi dhe lënies së lirë të rregullimit të saj mbi bazën e ligjeve të ekonomisë së tregut, kundërshtisë së pabarazisë që shihet si e padrejtë apo mbështetjes së pabarazisë dhe hierarkisë, të cilat mund të shihen si të shenjta, natyrale dhe të paevitueshme, barazi në shpërndarje apo barazi në oportunitet, liberalizëm social apo konservatorizëm, kundërshtim ndaj progresit shkencor në lidhje me agrikulturën dhe energjinë apo skepticizëm në lidhje me bindjet shkencore që lidhen me biologjinë dhe shkencën klimaterike, ligji dikton kulturën apo kultura dikton ligjin etj., etj..


Zor se mund të gjesh dikë që është në gjendje të konfirmojë pozicionet e partive në tematikën e mësipërme.


Ndërsa PS-ja bëri një hap të konsiderueshëm përpara me lëvizjen përtej së majtës dhe të djathtës, triangulacioni ishte në thelb motoja lëvizëse e PD-së në zgjedhjet e fundit. Triangulacioni mund të lejojë të mundësh kundërshtarin duke zëvendësuar parimet dhe ideologjinë me rezultatet e votimit.


Kjo strategji mund të prodhojë fitues në kutitë e votimit, siç pretendohet nga koalicioni PD-LSI, por definitivisht ai nuk prodhoi politikë të lavdërueshme dhe ai koalicion është i destinuar të dështojë.


Është kjo arsyeja pse shumica e shqiptarëve janë sot cinikë ndaj politikës dhe kjo sepse, triangulacioni, në thelb të tij është moto e politikanëve që shesin principet e tyre për të qëndruar apo ardhur në pushtet, duke mos bërë atë që është në të mirën e vendit të tyre.


Për më shumë akoma, arsyetimi i tyre bazohet në pragmatizmin për të bërë disa kompromise dhe hipur në majën e piramidës shtetërore se sa të lësh palën tjetër të të zërë vendin.


Sigurisht, shqiptarët mund të pajtohen me kompromiset, por ata nuk mund të pajtohen me politikanët mercenarë që janë gati të flakin jashtë dritares çdo gjë që ata besojnë për aq kohë sa era fryn në drejtimin e tyre.


Të zgjidhesh për një funksion nuk do të thotë thjesht të mbetesh në të. Për aq kohë sa ne nuk kemi politikanë që nuk dëshirojnë të rrezikojnë për të dalë jashtë pushtetit për të bërë atë që është e drejtë për vendin, pak besim mund të kihet në të ardhmen.


Dhe kjo kategori politikanësh ka arsye t'i trembet filozofisë dhe vizionit të ri të Ramës në politikë. Lëvizja përtej së majtës dhe të djathtës rrezikon pozicionet e tyre tradicionale të konfliktit, të cilat prodhojnë qeveri e funksionarë që mendojnë vetëm për të gllabëruar sa më shumë nga ajo që ka mbetur akoma gjallë.


Ajo është diametralisht e kundërt nga motoja e hedhjes së benzinës në politikë e më pas përdorimit të limonadave të thartuara për fikjen e zjarrit. Përtej së majtës dhe të djathtës është civilizim dhe ne kemi nevojë për të më shumë se çdokush tjetër.


(Kjo është pjesa e dytë e analizës me titull "Përtej së majtës dhe të djathtës" -Politikë konstruktive dhe domosdoshmëri e kohës". Autori është Senior Financial Analyst në New York University, SHBA)

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›