E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malawi, vendi i gjunjëzuar nga AIDS

Një burrë nxjerr nga xhepi një kuti të vogël, që duket si ilaç, por kur e hap duket që brenda saj ndodhet një prezervativ. Fillon të shpjegojë në gjuhën e tij Chichewa, mënyrën se si mund të përdoret nga të gjithë me lehtësi. Tregon se si vendoset dhe jep edhe udhëzime pas përdorimit. Një grup grash e ndjek me kureshtje. Sigurisht nuk është hera e parë që dëgjojnë të tilla leksione, sepse në jetën e tyre, praktika vlen më shumë se teoria. Me profesion janë të gjitha prostituta, të cilat e ushtrojnë profesionin në kufirin mes Malawi dhe Mozambikut. Malawi nuk ka dalje në det: Beira dhe Aputo janë portet e tij në Mozambik. Prej aty zhvillohet eksporti i duhanit, ku Malawi cilësohet si prodhuesi i pestë më i madh në botë. Judy, Mary, Rigid, Jesse, Esme, Yoce, me moshë nga 23 deri në 40 vjeçe, të gjitha nëna dhe të gjitha me celular në dorë, janë vetëm disa prej punëtoreve të seksit të këtyre zonave. Pjesa më e madhe janë sieropozitive, edhe pse në sytë e shoqeve nuk preferojnë të flasin për këtë temë. Të tjera janë prostituta të “rastësishme”, që nuk përdorin as masa mbrojtëse për të shmangur infektimin me virusin HIV. Por shumë prej tyre janë të “thekura” me jetën, që i njohin mirë të fshehtat e zanatit dhe i dinë përmendësh leksionet për prezervativët. “Pa prezervativ nuk mund të kryhet asnjë shërbim”, tregojnë njëzëri. Ato shtojnë se tashmë i njohin edhe klientët që janë sieropozitiv e që nuk preferojnë të përdorin prezervativ për këtë fakt. “Më të këqijtë janë mozambikaset të ndjekur nga meshkujt e Zimbabvesë”, shprehen ato. Pesë vjet më parë në vitin 2005, kardinali afrikano-jugor Wilfred Napier deklaroi se përdorimi i prezervativëve “promovon sjelljet imorale”, pa penguar përhapjen e AIDS-it. “Në Afrikën e Jugut janë shpenzuar me qindra miliona dollarë për përhapjen e prezervativëve dhe prapë se prapë jemi vendi me numrin më të lartë të sieropozitivëve në botë”. Në të njëjtin vit, peshkopi pohoi të kundërtën: Përdormi i prezervativëve mund të vendosë kufirin mes jetës dhe vdekjes. E pavarësisht deklaratave fetare anembanë botës, përdorimi i prezervativë ka ardhur duke u rritur. Pa përdorimin e tyre, i gjithë Malawi do të zhdukej”, tregojnë drejtuesit e OJQ-ve të ndryshme që veprojnë në vend. Edhe Judy, Mary, Rigid, Jesse, Esme, Joyce janë të ndërgjegjshme për këtë. Po ashtu, të bindura janë edhe Fatima, Enzat, Violet, Tisunge dhe Patricia, të cilat e ushtrojnë profesionin në kryeqytet, në Lilongwe. Edhe ato janë sieropozitive dhe në kurim të vazhdueshëm. Malawi është një vend i vogël me rreth 14 milionë banorë dhe shumë i varfër. Nëntë persona në dhjetë jetojnë duke kultivuar tokën, ndërsa gjysma tjetër duhet të kënaqet me rreth 1 dollar në ditë. Aty janë me shumicë gjërat që askush nuk do të donte t’i kishte: thatësira, malaria, duhani dhe sigurisht AIDS. Më shumë se 900 mijë veta janë sieropozitivë, ndërsa numri i jetimëve është diku tek 1 milion. Numri i vdekjeve nga virusi HIV shkon te 70 mijë persona çdo vit. Janë shifra vërtet tronditëse. Megjithatë në Malawi, jeta vazhdon. Për shkak të këtyre të dhënave katastrofike, pesë vjet më parë u prezantua një program kundër AIDS, që duket se po arrin rezultate të suksesshme. “Të japësh shpresën se mund të lindësh i shëndetshëm në një vend të dëshpëruar, tregon se jemi të dobishëm”, shprehet një nga koordinatorët e projektit. “Project Malawi” vendos në qendër të tij luftën kundër transmetimit të virusit HIV nga nëna te fëmija fillimisht gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes. Kjo detyrë strategjike i është besuar një prej pesë organizatave joqeveritare që realizojnë “Project Malawi”. Edhe në vende të tjera afrikane, mjekët e këtyre organizatave e kanë aplikuar këtë projekt, duke marrë rezultate të kënaqshme dhe kjo po duket edhe këtu. Numri i rasteve të transmetimit të virusit në lindje dhe pastaj pas lindjes ka rënë ndjeshëm. Gjithsesi të garantosh shëndetin e të sapolindurve nuk mjafton. Nëse nëna nuk kurohet, nëse të vegjlit nuk edukohen, atëherë e keqja vetëm do të evoluojë. “‘Project Malawi’ nuk përfundon me kurat për AIDS. Është një projekt më i gjerë që kalon përmes parandalimit, kurimit të jetimëve deri te mbështetja e tyre ekonomike”, tregojnë ata. Çdo vit të gjitha organizatat e përfshira në këtë projekt, mes të cilave edhe “Save the Children”, shpenzojnë më shumë se 3 milionë euro. “Project Malawi” ka hyrë në vitin e tij të shtatë.

Alice Becknadi ka katër fëmijë, është e ve dhe sieropozitive. Kurohet vazhdimisht, nuk harron asnjë pilulë dhe në shtëpinë e saj bën një jetë normale. Për njerëzit e fshatit ku jeton është dëshmitarja më e mirë e bashkëjetesës paqësore me virusin HIV. “Kjo nuk do të thotë vdekje e sigurt”, tregon ajo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›