E Diel, 1 Nëntor 2026

Mali i Çikës, shpëtohen tre turistë gjermanë të bllokuar në terren

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Tre turistë gjermanë, rreth 18 vjeç, janë shpëtuar nga shërbimet e Policisë pasi mbetën të bllokuar në terrenin malor të Çikës, në Vlorë.

Shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, nisën operacionin e kërkim-shpëtimit pas marrjes së njoftimit për ndihmë nga turistët.

Rreth orës 19:00, policia bëri të mundur lokalizimin e tyre. Turistët ndodheshin të lodhur fizikisht dhe nuk mund të vijonin lëvizjen për shkak të terrenit të vështirë malor.

Në koordinim me Qendrën Operacionale Kombëtare të Emergjencave Civile në Tiranë, u kërkua ndërhyrja nga ajri me helikopter.

Rreth orës 19:30, turistët u nxorën të sigurt nga zona malore, falë ndërhyrjes nga ajri.

Pas shpëtimit, turistët gjermanë falënderuan shërbimet e Policisë dhe të gjitha strukturat e angazhuara në operacion, duke vlerësuar reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar për t’u ardhur në ndihmë dhe për t’i nxjerrë të sigurt nga terreni i vështirë malor.

Policia e Shtetit theksoi se vijon të jetë e angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve në situata emergjente në të gjithë territorin e vendit.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›