E Diel, 1 Nëntor 2026

Mali i Zi do votojë pro nismës serbe, Maqedonia abstenon

 

NJU JORK- Mali i Zi do të votojë sot pro rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kjo është direktiva që Ministria e Punëve të Jashtme malazeze i ka dhënë përfaqësuesit të saj në Asamblenë e Përgjithshme. Lajmi është bërë publik nga Ministri i Jashtëm malazez Milan Rocen gjatë një konference për shtyp. Gjatë ditës së djeshme u njoftua se Maqedonia do të abstenonte nismën serbe për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të shqyrtojë legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Nëse kalon nisma serbe, atëherë kjo do të ishte kërkesa e 25 që i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për t’a dhënë mendimin e saj – qysh nga viti 1946 kur është themeluar ajo. Sidoqoftë, mendimi i Gjykatës është një mendim këshillëdhënës, dhe nuk e ka peshën e një vendimi ligjor obligativ për palët e përfshira në kontest, por një vendim në favor të Serbisë, sipas analistëve, do ta ngadalësonte njohjen e Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë njohur atë dhe do të mund të ndikonte negativisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Dje, Portugalia zyrtarisht u vendos në listën e shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Portugalia është vendi i 22 në Bashkimin Europian që ka njohur Kosovën si shtet më vete dhe i ndarë nga Serbia.

Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja vazhdojnë të kenë qëndrim të kundërt ndaj Kosovës duke u shprehur se shpallja e pavarësisë së saj është kundër ligjeve ndërkombëtare.

Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt, Kosova është njohur si shtet më vete nga 48 shtete në të gjithë botën, përfshi këtu edhe SHBA. 144 shtete të tjera, përfshi këtu Rusinë, Kinën, Indinë ende refuzojnë një vendim të tillë.

(s.g/BalkanWeb) 



Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›