Mali i Zi njeh Republikën e Kosovës
Qeveria e Malit të Zi ka marrë pasditen e djeshme vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Lajmin e ka komunikuar për mediat shefi i diplomacisë malazeze, Milan Rocen. "Qeveria vendosi njëzëri që ta njohë Republikën e Kosovës", ka deklaruar Rocen. Me njohjen nga Mali i Zi, Kosova e pavarur njihet nga plot 49 vende. Pak ditë më parë, shtetin më të ri të Evropës e njohu Portugalia. Vendimi i djeshëm i politikës zyrtare ishte një lëvizje e fuqishme politike dhe diplomatike, që përveçse sfidon hapur Serbinë pas rezolutës së miratuar në OKB, jep një provë tjetër të marrëdhënieve të mira me shqiptarët. Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç, është padyshim një nga miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve në Ballkan. Politikani i paoksidueshëm i rajonit ka dhënë dje provën e dytë të qëndrimit human dhe luajalitetit politik. Në vitin 1999, në kulmin e luftës së Kosovës, kur Mali i Zi ishte në një shtet me Jugosllavinë, pranoi 100 mijë refugjatë nga Kosova. Pas këtij veprimi, Beogradi tërhoqi ambasadorin nga Podgorica