Malindi, “Ibrahimoviçi” shqiptar bind AEK dhe Ferer

Albania-sport Enco Malindi, i mbiquajturi "Ibrahimovici" shqiptar i bindi plotësisht drejtuesit e klubit të AEK-ut për cilësitë e tij të vecanta. Lajmi bëhet i ditur nga burime greke dhe nga ato të brendshme të dy klubeve, AEK dhe Partizanit. "Kryesorja është që Malindi është pëlqyer nga vetë trajneri Lorence Sene Ferrer, i cili ka folur në shtypin grek me superlativa për talentin shqiptar 19-vjecar", pohoi burimi për Albania-sport.com.
"Encos i ka mbaruar edhe afati i vizës së marrë si pjesëtar i Kombëtares U-21, e cila humbi me Greqinë në Athinë 3-1", shton një burim i afërt me lojtarin. "Pas dy javësh do të rifillojnë bisedimet në nivel klubesh për të përcaktuar edhe modalitetet e kontratës së pritshme të futbollistit me klubin grek", pohoi një nga të besuarit e presidentit të Partizanit, Albert Xhani. "Kjo periudhë përkon edhe me dy javët e angazhimit të AEK në cerekfinalet e Kupës UEFA, ku ekipi i Ferer do të përballet me skuadrën franceze Paris Saint Germain. Gjatë këtyre 15 ditëve Enco do të pajiset me një vizë të re greke më afat gjatë, për të qenë i gatshëm në disa ndeshje testuese të AEK".
Malindi do të niset sot në orën 20.00 (ora greke) me linjën ajrore "Olimpik Airways" dhe do të akomodohet direkt në Durrës në Hotel "Besani" , ku do të bashkohet me ekipin e Partizanit, përpara se të kuqtë të përballen ditën e shtunë me Kastriotin e Krujës (takimi i fazës së parë 2:2). Enco Malindi shkëlqeu një javë më parë në transfertën e vështirë të Elbasanit, ku shënoi edhe dy golat e fitores befasuese se të kuqve.